Pasagjerët e kompanisë ajrore Ryanair do të duhet të ndryshojnë mënyrën e planifikimit të mbërritjes në aeroport. Nga 10 nëntori 2026, kompania ka hyrë në fuqi me një rregull të ri, sipas të cilit bagazhet e regjistruara duhet të dorëzohen të paktën një orë para nisjes së fluturimit.
Deri më tani, udhëtarët kishin në dispozicion 40 minuta për ta përfunduar këtë procedurë, ndërsa me vendimin e ri afati është zgjatur për 20 minuta.
Masa vlen në të gjitha aeroportet ku operon Ryanair dhe prek vetëm pasagjerët që udhëtojnë me bagazhe të regjistruara.
Kompania shpjegon se ky ndryshim vjen si përgjigje ndaj vështirësive të shtuara në aeroportet evropiane, ku radhët e gjata në kontrollet e sigurisë dhe të pasaportave po shkaktojnë vonesa për udhëtarët.
Një faktor tjetër që ka ndikuar në këtë situatë është sistemi i ri evropian i hyrje-daljeve (EES), përmes të cilit shtetasit e vendeve jashtë Bashkimit Evropian u nënshtrohen edhe kontrolleve biometrike.
Sipas kompanisë, këto procedura kanë bërë që disa pasagjerë të mos arrijnë në kohë te porta e nisjes, ndonëse bagazhet i kanë dorëzuar brenda afatit të mëparshëm.
Kjo do të thotë se udhëtarët duhet ta përfundojnë dorëzimin e bagazheve 60 minuta para nisjes së planifikuar. Për shembull, për një fluturim që niset në orën 14:00, sportelet do të mbyllen në orën 13:00.
Megjithatë, ndryshimi nuk do të ketë ndikim te shumica e klientëve të kompanisë. Ryanair vlerëson se vetëm 20 për qind e pasagjerëve udhëtojnë me bagazhe të regjistruara, ndërsa pjesa tjetër, rreth 80 për qind, përdorin vetëm bagazhe dore dhe regjistrohen online.
Këta të fundit mund të vazhdojnë drejt kontrolleve të sigurisë pa u paraqitur në sportelet e dorëzimit të bagazheve.
Përmes këtij vendimi, Ryanair synon të shmangë humbjen e fluturimeve për shkak të vonesave në aeroporte dhe të përmirësojë respektimin e orareve të nisjes.
Kompania po investon gjithashtu në pajisje automatike për regjistrimin dhe dorëzimin e bagazheve, me synimin që procedurat të kryhen më shpejt dhe të reduktohen radhët në sportele.
Ndërkohë, një tjetër ndryshim në shërbimet e kompanisë lidhet me përdorimin e kartave digjitale të imbarkimit. Ryanair u kërkon udhëtarëve të kryejnë regjistrimin paraprakisht përmes faqes zyrtare ose aplikacionit të saj, në mënyrë që të shmangin tarifat shtesë në aeroport.
Në një zhvillim tjetër, drejtori ekzekutiv i kompanisë, Michael O’Leary, ka paralajmëruar se biletat e fluturimeve në Evropë mund të shtrenjtohen me përqindje dyshifrore gjatë vitit 2027, për shkak të kostove të larta të karburantit.
Për këtë arsye, Ryanair u rekomandon udhëtarëve që të mos e lënë dorëzimin e bagazheve për momentin e fundit dhe të planifikojnë mbërritjen në aeroport me kohë të mjaftueshme.
← Më shumë nga mergata



