Vrasje për motive borxhi në Malishevë, viktima një 29-vjeçar

Sot në fshatin Balincë një person u privua nga jeta.  

Për vrasjen e tij, tashmë janë arrestuar katër persona në cilësinë e të dyshuarve.  

Viktima është me inicialet Shkodran Krasniqi, i moshës 29 vjeçare dhe vjen nga fshati Bubavec.  

Ndërkaq, T7 mëson se dorasi është A.G., rreth të dyzetave dhe jeton në fshatin Balincë. 

Siç mëson T7, motivi i vrasjes ka qenë një borxh që dorasi ia kishte viktimës. 

Viktima i cili ishte tregtar i druve sot ka shkuar në Balincë për ta kërkuar borxhin nga dorasi dhe më pas ka nisur përleshja që përfundoi me vrasjen e tij. 

Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë Rajonale të Gjakovës, Sheremet Elezaj. 

“Sot rreth orës 13:30 kemi pranuar informatë se një person mashkull i moshës madhore  është dërguar në QKMF Malishevë, dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri në fshatin Balincë-Malishevë. Personeli mjekësor ka konstatuar vdekja e tij.  Njësitet e nevojshme policore ju kanë përgjigjur rastit si dhe është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka dalë në vendin e ngjarjes, në konsultim me të cilin janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Deri më tani lidhur me rastin janë arrestuar katër persona të cilët dyshohen të jenë të përfshirë në rast, si dhe është konfiskuar një armë”, tha Elezaj.

Ndërkaq, në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe Prokuroria.