Vlora Çitaku paralajmëron anulimin e heqjes së vizave për Kosovën

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar të hënën se vendi i tij do t’i rishikojë zotimet që i ka bërë për çështje ekonomike dhe politika të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse ato nuk sillen me përgjegjësi.

Lidhur me këtë ka ardhur reagimi nga nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

Ajo ka thënë se do të ishte tejet dëshpëruese nëse bëhet rishikimi i vendimit për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.

Reagimi i plotë:

Deklarata e Presidentit Macron për rishikim të politikave të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse palët nuk sillen me përgjegjësi, duhet të merret seriozisht nga Qeveria.

Kjo deklaratë rikonfirmon qëndrimin e BE-së, se koha e fjalëve dhe këshillave tashmë ka kaluar.

Pas masave konkrete të BE-së kundër Kosovës, pas zhvillimeve të fundit politike në vend, rishikimi i liberalizimit të vizave për qytetarët do tanë do të ishte tejet dëshpërues.

Prandaj, përtej kritikës dhe politikës ditore, kjo është një këshillë për Qeverinë. Askush nuk po iu kërkon të veproni kundër interesit të shtetit dhe qytetarëve tanë.

Përkundrazi, kuptojeni drejtë paralajmërimin e Presidentit Macron, veproni me përgjegjësi dhe mos ua cenoni lirinë e lëvizjes qytetarëve të Kosovës – të merituar dhe të pritur prej shumë vitesh!