Presidenti i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar se ndërprenë të gjitha marrëdhëniet në Serbi, deri në lirimin e tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës që janë arrestuar nga autoritetet serbe, pasi sipas tij, pa lirimin e tyre nuk mund të ketë përparim në dialogun Kosovë-Serbi dhe as deeskalim të situatën në pjesën veriore të Kosovës, e cila siç tha po degradon çdo ditë.
Sipas tij, pa lirimin e tre policëve kosovar nuk do të ketë asnjë marrëdhënie tjetër me Serbinë dhe as nuk mund të diskutohet për çështje të tjera me Serbinë.
Rama përmes një konference për medie ka bërë të ditur se tashmë ka nisur edhe një letër për presidentin francez, Emanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Schols, si dhe Këshillin Evropian, përmes të cilës letër e ka shprehur domosdoshmërinë për një shtysë të re nga këto vende për zbatimin e planit franko-gjerman.
Kryeministri shqiptar theksoi se mbajtja e tre efektivëve të Kosovës në burg nga shteti serb, është e papranueshme dhe e pajustifikueshme.
“Për sa kohë tre efektivët e Policisë së Kosovës vazhdojnë të mbahen në burg në Serbi, nuk ka asnjë mundësi që të ketë përparim në dialog apo deeskalim konkret pa kthimin e tyre në shtëpi. Madje nuk mund të ketë as normalitet në marrëdhëniet në mes Shqipërisë e Serbisë për sa kohë Serbia nuk i jep fund heqjes së lirisë së tre policëve të cilët nuk kanë kryer asnjë krim…mbajtja e tyre me ditë të tëra në burg është e pajustifikueshme dhe e papranueshme. Ndërsa, pastaj përpjekja për ta mbuluar këtë lajthitje shtetërore për mbajtjen pa asnjë të drejt të tre policëve të huaj në burgun e një shteti tjetër, duke ngritur zërin për arrestimet në veri të individëve të caktuar të minoritetit serb nga forcat policore të Kosovës është tejet shqetësuese”, u shpreh ai.
Rama ka njoftuar se pardje ka nisur një letër të dytë për presidentin francez, Emanuel Macron e kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentin e Këshillit të Evropës, Charles Michel përmes të cilët ka kërkuar zbatim të planit franko-gjerman.
“Dua t’iu informoj se pardje i kam nisur një letër të dytë, pas asaj të draft-statutit presidentit Macron dhe kancelarit Scholz, për dijeni edhe presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel lidhur me domosdoshmërinë e një shtyse të re e konkrete të Francës dhe Gjermanisë si kumbarët e planit franko-gjerman natyrisht me mbështetjen e SHBA që plani frank-gjerman të zbatohet me do e mos. Në kushtet kur degradimi i situatës në veri si rezultat i përplasjes së vazhdueshme të politikave të brendshme të dy udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, po e rrit me orë klimën e tensionit duke rrezikuar seriozisht një përplasje fatale të armatosur mes grupeve që operojnë në veriun e Kosovës dhe forcave të sigurisë, çka do të ishte një katastrofë në mes të cilës do të përfshihej pastaj paeviteushmërisht KFOR-i”, u shpreh ai.
Shefi i qeverisë shqiptare, Edi Rama para gazetarëve deklaroi se pa lirimin e tre policëve, është e kot të diskutohet për çështje tjera me Serbinë, dhe se kjo pikë sipas tij, i përbashkon Kurtin dhe Ramën.
“Edhe aleatëve dhe partnerëve tanë iu a kam bërë të qartë se pa u liruar tre policët, është e kotë që diskutojmë çështje të tjera. Mund të bëhen gjëra formale e të deklarohet se folëm, por nuk mund të bëhet dot asgjë. Nuk jam i ëmbël me Albinin por në këtë pikë do të bëja absolutisht asgjë, pa u liruar ata të tre nuk do të bëja asgjë se është e papranueshme fare. Nuk janë tre njerëz që i kanë kapur e pretendimet që kanë bërë krime siç është rastin i atyre që janë arrestuar në Kosovë”, deklaroi kryeministri shqiptar.
Kryeministri, Rama deklaroi sot se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duhet të mbyllen në një konferencë normalizimi, pa të drejtë daljeje, deri sa të trajtohen të gjitha pikat.
Duke thënë se ky rajon nuk është as i Albin Kurtit dhe as i Aleksandër Vuçiq, Rama theksoi se nga situata e krijuar në mes Kosovës dhe Serbisë, kërcënohet interesi kombëtar.
“Interesi ynë kombëtar, interesi i Shqipërisë si shtet kërcënohet nga kjo situatë dhe ky rajon nuk është as i Albinit dhe as i Aleksandrit, dhe ky rajon është i popujve i shteteve që popullojnë dhe administrojnë”, u shpreh kryeministrit Rama.
Duke kërkuar që të mbarojë loja e “Tomy dhe Jerry” mes Serbisë dhe Kosovës, Rama tha se dy vendet akuzojnë njëra-tjetrën, sepse nuk kanë vullnetin e duhur për tejkalimin e situatës.
“Kjo status-quo nuk mund të vazhdoj më prandaj duhet të dalim patjetër nga kjo lojë politike Tomy and Jerry duhet të evitojmë edhe skenarin e përkeqësimit të pozicionit të Kosovës por edhe skenarin e izolimit të Serbisë. Sepse nuk janë aspak skenarë të mirë për ne për interesin tonë kombëtar….Është e domosdoshme që presidenti i Francës dhe Gjermanisë të ndërhyjnë dhe me patjetër të shtyjnë zbatimin deri në fund të asaj marrëveshje bazë e cila mbetet e pafirmosur, por që palët thonë se janë dakorduar dhe kështu thotë edhe BE, kështu që vajtje ardhjet në Bruksel me këto xhirot ku shkon puna deri në pikën që palët bëjnë konferenca shtypi se do ta mendoj se a do të shkoj a s’do shkoj a ta shikojmë janë kohë e humbur ndërkohë që situata në terren degradon çdo ditë edhe kur duket edhe kur nuk duket dhe shpërthimi i asaj situate në formën e një përplasje do të kishte pasoja të jashtëzakonshme për të gjithë“, theksoi ai.
I pyetur se çka nënkupton ngritja e raporteve me Serbinë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se derisa nuk lirohen tre policët e Kosovës nuk kanë asnjë marrëdhënie tjetër përveç atë për lirimin nga burgu i efektivëve kosovar.
“Të jeni të sigurt që jemi shumë aktiv jo vetëm në një kanal por në ca kanale, por në ndërkohë as nuk diskutohet se për sa kohë që ata njerëz janë atje marrëdhëniet tona janë pa asnjë gjë të re përkundrazi marrëdhëniet me Serbisë, sot janë vetëm për këtë punë nuk kemi asnjë marrëdhënie tjetërdhe asgjë tjetër dhe unë uroj që lirimi i tyre të ndodhi sa më parë çdo ditë është shumë e dëmshme dhe jo thjesht për marrëdhëniet tona, është e dëmshme për vetë Serbinë, për rajonin është e dëmshme për këtë proces është vetëm keq asnjë lloj të mirë nuk ka asnjë lloj përfitimin nuk ka”, u shpreh Rama.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se kryeministrit i Kosovës, Albin Kurti nuk e ka dashur ballafaqimin e drejtpërdrejt për të diskutuar për situatën në veri.
Por, shtoi se Shqipëria nuk është noterë e çdo politike që ndjek Kosova.
Sipas tij, marrëveshjet që ishin gati për t’u firmosur, mund të firmoseshin po njësojë pa pasur nevojë për të dhënë një shfaqe sikur gjërat janë normale.
“Albini nuk e ka dashur konfrontimin e ballafaqimin e drejtpërdrejt për këtë temë, sepse Albini lexon sondazhet dhe kënaqet që i rriten poenat, por mendoj që Shqipëria nuk është notere dhe nuk mund të jetë kurrë notere e çdo politike që ndjek Kosova, aq më tepër që Shqipëria quhet trajtohet si ‘vëllai i madh’ gjë që se kam thënë kurrë sikurse thoni ju jo unë, sepse unë nuk e kam thënë kurrë një gjë të tillë. Detyrimi jonë është të themi të vërtetën në sy dhe të mbajmë qëndrimin tonë. Shqipëria është shtet më vete që ka interesat e saj….Jam i gatshëm të takohem me Albinin në çdo moment, iu kam thënë në nivel personal nuk ka asnjë problem, fare zero….por në nivelin konceptual kemi probleme dhe probleme të mëdha shumë“, theksoi ai.
Sa i përket draftit për asociacionin e komunave me shumicë serbe, Rama tha se këtë draft nuk ia ka dërguar as Kosovë dhe as Serbisë, por Gjermanisë dhe Francës, dhe është një kontribut për paqen për Kosovën dhe normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Unë nuk ia kam dërguar as Kosovës as Serbisë, unë draftin ia kam dërguar Francës dhe Gjermanisë dhe për dijeni presidentit të Këshillit Evropian dhe nuk kam pritur as që të miratohet nga Kosova e as nga Serbia se as Kosova e as Serbia nuk e kanë lexuar, dhe refuzojnë pa e lexuar nuk ka problem fare, as nuk kam pretenduar që ai draft të miratohet edhe kur të lexohet është një kontribut a do të vlejë rrugës apo jo këtë do ta shohim”, theksoi Rama.
Gjatë ditës së djeshme në Bruksel kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar takim bilaterial mepërfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrel dhe emisarin e tij special për Ballkanin dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak. Por, takim trilateral kishte refuzuar presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.
Pas këtij takimi, kryeministrit Kurti është shprehur se Kosova është e hapur për zgjedhjet e parakohshme në komunat veriore, por që ato duhet të ndodhin sipas zgjidhjes ligjore. Ndërsa, ritheksoi se deeskalimi duhet të nënkuptojë largimin e ekstremistëve të dhunshëm që menjëherë do të përcillej me zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat e komunave në veri.
Situata në veri të Kosovës është tensionuar prej 26 majit kur kryetarët e zgjedhur u detyruan të shkojnë në vendet e tyre të punës nën asistimin e Policisë së Kosovës.
Para ndërtesave komunale po qëndrojnë protestues serbë të cilët po kundërshtojnë kryetarët shqiptarë.
Gjatë kësaj kohe, protestuesit në veri, në mesin e tyre edhe të tillë me maska, kanë sulmuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës, KFOR-it si dhe gazetarë të cilët po raportojnë nga pjesa veriore e vendit.