Lypësarit, Aliut në Mitrovicë, i shkaktuan lëndime të rënda trupore duke e rrahur pa asnjë arsye. Pas kësaj organet e rendit janë vënë në lëvizje për arrestimin e të dyshuarit.
Policia e Kosovës kishte njoftuar të mërkurën se e ka arrestuar personin që dyshohet se e sulmoi Ali Nezirin nga Mitrovica.
Sipas njoftimit, i arrestuari për këtë rast është M.I., 47-vjeç. Ndërkohë, Sinjali raporton se i dyshuari që rrahu 30-vjeçarin është Mexhit Ibishi.
Për më tepër, ai thuhet se është gastronom i njohur në qytetin e Mitrovicës dhe njëri nga pronarët e lokalit të natës “Fabric Night Life”.
Ai dyshohet se më 12 korrik në sheshin “Adem Jashari” në Mitrovicë, e ka sulmuar viktimën Neziri, 30-vjeç.
Aliu, një qytetar që vjen nga komuniteti rom në Kosovë, u përshkrua fillimisht si “lypës” gabimisht nga disa media. Por, më pas u mësua se ai është një person që vuan nga epilepsia.
Ibishi, ndaj të cilit është caktuar masa e ndalimit policor, dyshohet për veprën penale “sulm”.
Rasti i Aliut është përcjellur me reagime të shumta, duke theksuar faktin se Aliu, 30-vjeçar është me aftësi të kufizuara.
Ai njihet në Mitrovicë dhe ndihmohet nga qytetarët shkaku i kushteve të rënda.