Tragjedi në QKUK: Digjet dhoma, vdes një pacient në psikiatri

Një pacient ka vdekur të mërkurën në Klinikën e  Psikiatrisë në QKUK.

Këtë e kanë konfirmuar edhe nga Qendra Klinike, Universitare e Kosovës (QKUK).

Nga QKUK-ja kanë thënë se kjo ngjarje ka ndodhur në një dhomë të tipit të mbyllur ku qëndrojnë përkohësisht personat me agresivitet dhe dyshohet se pacienti i ka vënë zjarrin dhomës e për pasojë nga tymi ka ndërruar jetë.

Në njoftimin e QKUK-së bëhet e ditur se një paciente tjetër poashtu është helmuar nga tymi, si dhe dy mjek dhe dy infermierë të cilët ofruan ndihmën e parë.

Tutje në njoftim thuhet se Policia është duke e hetuar rastin.

Njoftimi i plotë:

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), njofton se mbrëmë rreth orës 23:00, në Repartin e Urgjencës dhe Intensives Psikiatrike ka ndodhur një zjarr, në njërën nga dhomat e tipit të mbyllur, ku qëndrojnë pacientët përkohësisht, pacientë  në gjendje të agresivitetit dhe agjitimit të theksuar psikomotor, jo koshient për gjendjen mendore.

Në të njëjtin Repart, në të njëjtën kohë, dyshohet se një pacient i ka vënë zjarrin në rrethana të panjohura dhomës së tipit të mbyllur, me ç’rast si pasojë  e ngulfatjes nga tymi (asfiksioni)  ai ka humbur jetën, përkundër përpjekjeve maksimale të stafit shëndetësor për ta shpëtuar pacientin.

Gjithashtu gjatë kësaj kohe, një paciente tjetër ka pësuar shenja të helmimit nga tymi, e poashtu  e tërë ekipi kujdestare, dy mjekë dhe dy infermiere të cilët  gjatë ofrimit të ndihmës për pacientin në fjalë dhe evakuimit të pacientëve të tjerë, kanë manifestuar shenja të helmimit nga tymi dhe kanë marrë ndihmë mjekësore në Klinikën Emergjente.

Rasti është duke u hetuar nga njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës.