Thaçi nga Haga: Më ka marrë malli për gruan, Endritin që u bë burrë – të shkoja në ceremoninë e diplomimit

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dhënë intervistë nga qendra e paraburgimit në Hagë. 

Në këtë intervistë që ai e ka dhënë për nacionalen, ka folur për gjëra të ndryshme, për të ardhmen e Kosovës, për familjen, për Edi Ramën si dhe për situatën në të cilën gjendet Kosovë, shkruan Portali Mërgata. 

Një ndër deklaratat e tij më emocionuese është ajo e mallit për Kosovën. 

Thotë se e ka marrë malli për djalin e gruan e tij, si dhe për aktivitetet që bënin bashkë. 

Kjo është përgjigja e ish-presidentit: 

Për familjen, të rri dhe të bisedojë i lirë me ta: Lumen, Endritin, i cili tani u rrit dhe u bë burrë, të merrja pjesë në ceremoninë e tij të diplomimit, të shëtisja maleve, bjeshkëve të bukura të Kosovës, të përcillnim ndeshje futbolli së bashku, apo të kalonim së bashku ndonjë ditë skijimi në bjeshkët e Brezovicës. Të bisedonim për ëndërrat e tij jetësore, apo për ndonjë film apo libër etj. 

I mungojmë njëri-tjetrit çdo ditë, por ky është çmimi i lirisë. 

E di që mallëngjimi është deri diku dobësi, por paraqet edhe njerëzi: jemi njerëz nga mishi dhe gjaku. 

Po, më ka marrë malli për prindërit të cilët kanë hyrë në fazën e moshës së thyer, edhe pse flas shpesh përmes telefonit. Ardhja e tyre vitin e kaluar këtu në vizitë ishte një emocion i veçantë dhe i paharrueshëm. 

Vizita ime para do kohësh, më 29 maj 2023, e cila u krye në ruajtje dhe shoqërim të DHSK, në vendlindje në Burojë, biseda me prindërit, për disa orë, paraqet një mrekulli të jashtëzakonshme njerëzore. Koha dhe biseda me ta ishte më e veçanta në jetën time. Evokuam kujtime të së kaluarës, biseduan për rrethin e ngushtë dhe të gjerë familjar, për të sotmen, por edhe për të ardhmen. Janë të bekuar që kanë plot mbesa e stërmbesa, nipa e stërnipa. Po e jetojnë pleqërinë të qetë, krenarë dhe dinjitozë. 

Jam i mallëngjyer për njerëzit që i dua dhe më duan, që më besuan për më tepër se dy dekada, në procesin e përbashkët të ndërtimit të Kosovës së lirë, të pavarur, tolerante, zhvillimore. /PortaliMërgata/