Tahiri: Kosovarët po presin në radhë për të ikur nga vendi shkaku i qeverisë Kurti

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri, ka kritikuar Qeverinë për çështjen e mos sigurimit të librave shkollor, që sipas tij, kjo është demotivim total i mësimdhënësve, prindërve e fëmijëve.

Po ashtu, ai tha se kjo Qeveri asgjë nuk është duke bërë siç duhet. Ai shtoi se Qeveria e Kosovës është e pakoordinuar nga brenda, e ç’akorduar me të tjerë, as nuk adminstron, as nuk menaxhon.

“Një fillim kaotik i vitit të ri shkollor. Demotivim total i mësimdhënësve, prindërve e fëmijëve. Kjo qeveri i qaset një problemi a sfide duke i gjeneruar dhjetë të tjera. E pakoordinuar nga brenda, e ç’akorduar me të tjerë, as nuk adminstron, as nuk menaxhon, as nuk qeverisë, krejt çfarë bën është një vendimmarrje, rezultatet e së cilës nuk është në gjendje t’i projektoj e as t’i njoh”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Tutje ai tha se është dobësuar organizimi shtetëror, çdo hallkë institucionale ka ra si dhe njerëzit po presin në radhë për të ikur nga Kosova.

“Është dobësuar organizimi shtetëror, çdo hallkë institucionale ka ra, gjithçka është formë e shumë pak përmbajtje. Njerëzit në radhë për të ikur nga vendi, jo fort për vete, sepse as shpresë tashmë nuk kanë, por për t’i dhënë mundësi fëmijëve të tyre të ëndërrojnë e shpresojnë”, përfundoi ai.