Suspendohet nga puna mjeku i QKUK-së, dyshohet se mori ryshfet 300 euro

Komisioni Disiplinor i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka marrë vendim për pezullimin e përkohshëm nga puna të ortopedit Sami Delijaj, i cili dyshohet për marrje ryshfeti.

Kjo është bërë e ditur nga Zyra për Informim e Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (SHSKUK).

“ShSKUK ju konfirmon se Komisioni Disiplinor i QKUK-së, bazuar në Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda me nr: 2023:188627 datë 06.09.2023, ku Dr. S. D, i ka caktuar Masa e Arrestit Shtëpiak, po ashtu në kuptim të shkresës zyrtare me nr. 220 datë 07.09.2023, të Drejtorit të Klinikës së Ortopedisë dhe Traumatologjisë Lokomotore të QKUK-së, vendosi që S.D. në vendin e punës ushtrues detyre Shef i Repartit të Ortopedisë së Përgjithshme në Klinikën e Ortopedisë dhe Truamtologjisë Lokomotore të QKUK-së, i shqiptohet masa PEZULLIM I PËRKOHSHËM NGA PUNA”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së për “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, në përgjigjen e SHSKUK-së thuhet se Delijaj do të përfitojë 50 për qind të pagës së plotë gjatë kohës së pezullimit të përkohshëm.

“Gjatë kohës së pezullimit të përkohshëm nga puna i punësuari përfiton 50% të pagës së plotë, duke përjashtuar çdo lloj shtese në pagë për një periudhë pezullimi deri në gjashtë (6) muaj. Ky vendim hyn në fuqi nga data 08.09.2023”, thuhet më tej në përgjigjen e SHSKUK-së.

Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 shtator 2023 ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit Delijaj, duke ia caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Në aktvendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë e parashtruar me 5 shtator 2023 për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Sami Delijaj është e pabazuar.

Sipas Prokurorisë, Delijaj në cilësinë e personit zyrtar në pozitën e mjekut oroped në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), më 1 shtator 2023, pasi e kishte operuar pacientin R.M në mënyrë të drejtëpërdrejtë ka kërkuar 450 euro para ryshfet nga Xh.P, ku pas negocimit të njëjtit ia merr 300 euro.

Në këtë drejtim, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Delijaj ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, par.1 të Kodit Penal.

“Betimi për Drejtësi” ka provuar të kontaktojë me të dyshuarin Delijaj, mirëpo nga ordinanca “Orthopedia” ku punon ai, thanë që ortopedi për momentin është në pushim.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 4 shtator njoftoi për arrestmin e ortopedit, nën dyshimin për marrje ryshfeti.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti për Krime të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka urdhëruar ndalimin e personit me inicialet S.D., në cilësinë e mjekut në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, sipas KPRK-së. Prokuroria në koordinim me Policinë është duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë çështje penale”, thuhej në njoftim.

Po të njëjtën ditë, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) kishte reaguar lidhur me arrestimin e mjekut, duke thënë se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore.

Kurse, në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës (PK), u tha se janë sekuestruar një shumë e të hollave, një telefon celular dhe disa pajisje mjekësore.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale marrje e ryshfetit. Nga i dyshuari në cilësi të provave janë sekuestruar një shume e te hollave, një telefon celular si dhe disa pajisje mjekësore. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhej në njoftim.