Statistikat: Gjermanët nuk kanë besim në qeverinë e tyre

Gjermanët nuk kanë më shumë besim tek koalicioni qeverisës. Vetëm 19% e tyre janë të kënaqur me punën e qeverisë, sipas një sondazhi të televizonit ARD, Deutschlandtrend të kryer nga instituti Infratest-Dimap.

Për këtë sondazh u pyetën në fund të gushtit 1310 qytetarë me të drejtë vote. Pakënaqësia është e lartë edhe mes përkrahësve të një partie. Sidomos përkrahës të FDP-së kanë probleme me koalicionin ku bashkëqeveris partia liberale, katër nga pesë persona ushtrojnë kritikë të hapur.

Nuk është e pazakontë që qeveritë humbasin mbështetje, kur fillojnë punën e tyre. Megjithatë qeveri të tjera muaj përpara gjysmës së periudhës legjislative kanë arritur ta rifitojnë besimin e qytetarëve. Qeveria e koalicionit nuk ia ka dalë ende të rifitojë besimin, megjithëse është arritur gjysma e legjislaturës. Kjo reflektohet edhe në përgjigjet e të anketuarve; nëse do të zgjidhej tani një parlament i ri koalicioni i socialdemokratëve, Të Gjelbërve dhe liberalëve, ai si edhe më parë nuk do të kishte më shumicën parlamentare.

Ndërkohë në preferencën e votuesve kryeson CDU/CSU me 29%, e ndjekur nga AfD me 22%. Partia e kancelarit, Scholz, SPD arrin vetëm 16%. Të Gjelbrit kanë rënë në 14%, dhe liberalët në 6%. E Majta me 4% nuk do të arrinte të hynte në një Bundestag të ri. Ajo që bie në sy është pakënaqësia e gjermanëve me kancelarin Scholz. Sipas këtij sondazhi mospreferenca ndaj tij arrin një rekord të ri negativ. Vetëm çdo i katërti votues është i kënaqur me punën e kancelarit gjerman.

Gati gjysma e të anketuarve në 12 muajt e ardhshëm llogarisin keqësim të gjendjes ekonomike. Dobësimi ekonomik është problemi më i madh, me të cilin lufton Gjermania aktualisht, sipas të anketuarve. /DW