Skandal: Kroacia ia jep vizën kosovarit, Drenicën e bën pjesë të Serbisë

Kroacia ka mohuar shtetin e Kosovës nëpërmjet një dokumenti të aprovuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kroacisë dhe të lëshuar nga Ambasada e Kroacisë në Kosovë. Në këtë vizë për leje-qëndrimi dhe leje të punës, fshati Polac i Skenderajt prezantohet si pjesë e Serbisë.

Selman Kabashi nga fshati Polac i Skenderajt ka aplikuar për leje-qëndrim dhe leje të punës në shtetin kroat.

Kërkesa e tij është aprovuar, por Kabashi ka refuzuar ta shfrytëzojë atë për shkak se fshati i tij prezantohet si vendbanim brenda territorit të Serbisë, raporton Paparaci.

Dokumenti i cili u aprovua më datë 11.04.2023 nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kroacisë e prezanton fshatin Polac të Skenderajt si pjesë të Serbisë.

Në dokument thuhet se: “Leja e qëndrimit dhe e punës i lëshohet KABASHI SELMAN lindur 06.12.1981 në POLAC, SERBIA shteti i SERBISË me profesion PUNËTOR, në pozicionin PUNËTOR TË NDËRTIMIT…”

Selman Kabashi ka thënë se në aplikimin e tij për vizë, leje të punës dhe leje-qëndrim në shtetin kroat ka paraqitur dokumente të lëshuara nga Republika e Kosovës dhe ka aplikuar me pasaportë të Republikës së Kosovës.

“Kam aplikuar me pasaportë të Kosovës, me dokumente të Kosovës, me atë në gjykatë, me të gjitha dokumentet e Kosovës. Nuk e di nëse ka qenë gabim ose me qëllim kjo që ka bërë shteti kroat”, ka thënë Kabashi për Paparacin.

Ai është shprehur se ka refuzuar të shkojë për të marrë vizën në ambasadën e Kroacisë pasi është ndjerë i fyer që te adresa e vendlindjes i figuron se është shtetas i Serbisë, ani pse ka aplikuar me dokumente të Kosovës.

Kabashi ka thënë se “e ka injoruar” tërësisht Ambasadën e Kroacisë në Prishtinë pas rastit të cilin e ka cilësuar skandaloz.

Në anën tjetër, Kroacia dhe Kosova gëzojnë marrëdhënie politike miqësore. Kroacia ishte ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës vetëm një muaj pasi ishte shpallur pavarësia më 19. 03. 2008.

Paparaci ka dërguar të mërkurën pyetje në adresë të Ambasadës së Kroacisë në Kosovë, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje lidhur me këtë dokument të lëshuar.