Komandanti i ushtrisë, Bashkim Jashari ka paralajmëruar ndërprerjen e aktiviteteve operacione të FSK-së nëse nuk merren masa për zgjidhjen e çështjes së ushqimit të ushtarëve.
Në një letër të cilën ia ka dërguar të hënën ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedoncit, komandanti Jashari i lutet atij që të marrë masa për ushqimin.
Çështja kryesore e ngritur në letrën e komandantit Jashari është ajo e shërbimit të kuzhinës në kazermat e FSK-së. Jashari e informon Maqedoncin për shqetësime të ngritura nga ushtarët për shërbimet e ushqimit dhe mungesën e kuzhinierëve.
“Të nderuar, Me datën 07.10.2024 ju kam njoftuar lidhur me shqetësimet e shërbimit me ushqim për personelin e FSK dhe kam kërkuar që të merrni të gjitha masat, konform legjislacionit në fuqi, që t’i jepni një zgjidhje çështjes së ushqimit në mënyrë që FSK të vazhdojë realizimin e planifikimeve të saj. Sipas raporteve të fundit (me të cilat jeni edhe ju të njoftuar) në njësitë e FSK-së janë paraqitur shqetësime lidhur me shërbimet me ushqim, konkretisht me kuzhinierë (vonesa të ndryshme dhe ka raste kur nuk paraqiten në punë). Përveç mungesës së personelit të kuzhinave, e që ka ndikim në kualitetin e ushqimit dhe probleme të furnizimit me artikuj ushqimor, kemi edhe probleme sanitare, e kjo e fundit paraqet rrezik në helmimin dhe përhapjen e infeksioneve tek personeli i FSK- së”, shkruhet në letrën e Jasharit, të cilën e ka publikuar me shkrim Insajderi.
Nëse nuk zgjidhet kjo situatë, Komandanti i FSK-së ka alarmuar me mundësinë e ndërprerjes së detyrave operacionale të ushtrisë.
“Të gjitha këto probleme ndikojnë për FSK-në, në kryerjen e detyrave operacionale për përmbushje misionit, kurseve zhvillimore, stërvitjeve fushore dhe aktiviteteve tjera, konform planifikimit”, shkruhet në letrën e Jasharit. “Për më tepër, personeli në kuzhina të cilët janë të angazhuar nga institucionet tjera, kanë deklaruar që deri me datën 11.10.2024 do të paraqiten në punë, pastaj nuk do të paraqiten në kuzhinat e FSK-së“.
Që nga e marta e javës së kaluar, FSK-ja gjendet në një situatë të vështirë për ushqimin e ushtarëve.
Shkak për këtë është bërë vendimi i Ministrisë së Mbrojtjes për mosvazhdimin e kontratës për furnizim me ushqim të kazermave të FSK-së.
Përballjen me një situatë të vështirë e ka pranuar në fillimin e kësaj jave edhe ministri Ejup Maqedonci. Ai gjatë raportimit në Komisionin për Mbrojtje të martën e kësaj jave, tha se kontrata aktuale e sigurimit të ushqimit është subjekt i trajtimit të brendshëm, derisa theksoi se po tenton të krijojë vetëqëndrueshmëri për ushqim të FSK-së.