Tri vite kanë kaluar që prej se mërgimtari, Nezir Mehmetaj, po mbahet në burgjet serbe.
Ai ishte arrestuar gjersa më 2020, në Merdare po kalonte kufirin, shkruan Portali Mërgata.
Mbi të rëndojnë akuza për krime lufte, të paprovuara, ta pafaktuara, e ende mbi këtë premisë, shteti serb po e mban në burg.
Nezir Mehmetaj kishte një urdhër-arrest aktiv nën dyshimet se si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në qytetin e Klinës, kishte marrë pjesë në vrasjen dhe maltretimin e të paktën shtatë personave, përfshirë serbë dhe romë.
Në këtë rast janë mbajtur disa seanca gjyqësore dhe kanë dhënë dëshmitë e tyre disa dëshmitarë, por ende nuk ka një datë të përfundimit të gjykimit.
Pas më shumë se tre vjetësh, ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka kërkuar përmes një letre zyrtare ministres së Drejtësisë të Serbisë, Maja Popoviq, transferimin e Nezir Mehmetajt në Kosovë, si dhe të një kosovari tjetër, Petrit Dula, i dënuar me dy vjet burgim nga Gjykata në Serbi për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë.
Në letrën e ministres Haxhiu thuhet se proceset e deritashme gjyqësore ndaj Mehmetajt dhe Dulës janë shoqëruar nga shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.
“Çdo akuzë ndaj tyre për krimet e pretenduara, duhet trajtuar nga organet e drejtësisë në Republikën e Kosovës”, thuhet në letrën e ministres Haxhiu.
Kjo kërkesë ka rritur shpresat e familjarëve të Nezir Mehmetajt, pasi, siç thotë vëllai i tij, Valoni, për herë të parë shihet një qasje serioze nga institucionet e Kosovës.
“Është një iniciativë e rëndësishme, sepse deri më sot nuk ka pasur një iniciativë të tillë. Neziri duhet të lirohet. Është një rast i montuar. Kjo dihet nga fillimi”, thotë ai.