Shqiptari lajmëron policinë pasi ia dëmtuan veturën në parkingun e invalidëve, ata e gjobisin dhe ia heqin patentën

Kishte parkuar në vendin e invalidëve në një qendër tregtare në Novara të Italisë por kur u kthye nga pazari e gjeti makinën të dëmtuar.

Xhami i përparmë ishte i plasaritur dhe kishte gërvishtje në anën e shoferit. Sipas disa dëshmitarëve, një burrë me paterica ishte shkaktari i të gjitha këtyre dëmtimeve.

Kështu shoferit, një shtetas shqiptar 22 vjeç, nuk i ka mbetur gjë tjetër veçse të kontaktojë në 112. Agjentët e mbërritur në vendngjarje kanë ftuar të riun të denoncojë në komisariat.

Dhe këtu doli edhe një “surprizë” për të: gjobë dhe heqja e patentës për shkak se e kishte lënë makinën në një vend të rezervuar për invalidët, raportojnë mediat italiane.