Shefi i NATO-s, Vjosa Osmanit: Kur të shkoni në veri, informoni me kohë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një konferencë për media lexoi deklaratën e Aleancës pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin. Ai tha se i mirëpresin “hapat e fundit që janë ndërmarrë nga Prishtina, duke përfshirë zvogëlimin e numrit të Forcave Speciale të Policisë në veri dhe planet të mundësuar zgjedhje të reja komunale”.

Stoltenberg theksoi se “është esenciale të shmanget çdo lloj eskalimi i mëtejmë dhe inkurajojmë të dyja palët që të veprojnë në përmbajtje dhe në përputhje me zotimet e tyre”.

“Në përputhje me zotimet e Prishtinës që nga viti 2013, çdo lloj zbarkimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës, kërkon pajtimin/pëlqimin e KFOR-it dhe presim konsultimet me kohë, kuptimplote, për çfarëdolloj zbarkimi që mund të ndikojë mjedisin e sigurisë”, theksoi ndër tjerash shefi i NATO-s.

Ai këtu tregoi se në reagim ndaj trazirave të fundit, NATO ka zbarkuar qindra trupa shtesë në Kosovë. “Vazhdojmë ta monitorojmë siutatën dhe qëndrojmë të gatshëm të veprojmë për ta përmbushur mandatin tonë të OKB-së”, shtoi Stoltenberg.

Shefi i NATO-s tha po ashtu se e mirëpret takimin e 14 shtatorit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Këtë, ai e cilësoi si të vetmen mënyrë “për t’i zgjidhur çështjet e mbetura dhe për ta arritur zgjidhjen që respektobn të drejtave të të gjitha komuniteteve”.

“Kjo kërkon durim, insistim dhe kompromis”, theksoi Stoltenberg.

Ky takim, siç tha Stoltenberg, “është mundësi për Kosovën që është palë e përgjegjshme”.