Serbi që beson se “toka është e rrafshët” zgjedhet deputet me 12 bashkëpartiakë

“E kemi thënë atë që populli dëshiron ta dëgjojë dhe e sheh si vlerë të tijën” – kështu e shpjegon Branimir Nestoroviq suksesin e listës së tij zgjedhore “Ne, zëri i popullit” në zgjedhjet e Serbisë, më 17 dhjetor.

Rezultati i listës së këtij mjeku dhe adhuruesi të teorive të konspiracionit – i cili ka kontestuar koronavirusin, ndërsa publikisht ka kërkuar prova “më bindëse” se Toka nuk është pllakë e sheshtë – konsiderohet si befasia më e madhe e këtyre zgjedhjeve.

Kjo listë pro-ruse ka lënë jashtë pragut elektoral shumë aktorë të njohur politikë.

Sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve, ajo ka fituar 4.8 për qind të votave, që mund t’i sjellin 13 mandate në Kuvendin e Serbisë. Ndërsa, në Beograd, kjo listë mund të jetë vendimtare për formimin e qeverisë.

Sociologu serb, Zoran Stojilkoviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjitha zgjedhjet sjellin disa mundësi për lojtarët që, zakonisht, luajnë vetëm një sezon zgjedhor, por se ata mund t’i hapin vetes edhe shanse për një prani më të gjatë.

“Nuk po flasim për 10, 15 apo 20 për qind të votave të kësaj liste. Po flasim për diçka nën 5 për qind të votave”, thotë ai.

Stojilkoviq vlerëson se mes pushtetit dhe koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës”, një pjesë e qytetarëve ka dashur diçka tjetër.

“Politika e forcës së tretë, e cila është demokratike, por qartazi eurofobike, është një pozicion që ka mundur ta artikulojë atë qëndrim, aq më tepër që e djathta kombëtare nuk ka treguar vullnet për të krijuar koalicione mjaft të gjera për të kaluar pragun”, thotë Stojilkoviq.

Sipas deklaratave të Branimir Nestoroviqit natën e zgjedhjeve, listën “Ne, zëri i popullit” e ka mbledhur kundërshtimi i “perëndimorëve që duan të na marrin Kosovën”.

Ai është fytyra më e njohur e listës zgjedhore “Ne, zëri i popullit”.

Për publikun është bërë i njohur kur në botë është shfaqur koronavirusi, të cilin e ka cilësuar si “virusin më qesharak në historinë e njerëzimit, që ekziston në Facebook”.

Nga ajo kohë daton edhe mesazhi i tij për gratë që mund të shkojnë lirisht në Millano të Italisë për të bërë pazare, në kohën kur situata me koronavirusin në Itali ishte alarmante.

Branimir Nestoroviq nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për këtë temë, ndërsa, natën e zgjedhjeve, ai tha për Radio Televizionin e Serbisë se duket se lista e tij “ka marrë pak nga të gjithë, një për qind nga të gjithë”.

Sociologu Stojilkoviq nuk beson se kjo listë ka marrë vota nga partitë në pushtet, e as nga koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës”, i cili ka dalë i dyti në zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit.

“Mendoj se një një pjesë e votave janë nga ato që ai i ka siguruar [lëvizjes] Dveri herën e kaluar, por, në anën tjetër, është një numër abstenuesish ndoshta të aktivizuar, e jo patjetër të përfshirë në politikë”, thotë Stojilkoviq.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2022, Nestoroviq mbështeti listën e djathtë, të udhëhequr nga lëvizja serbe, Dveri, dhe udhëheqësi i saj, Boshko Obradoviq.

Siç e ka thënë edhe vetë, ai edhe më herët ka qenë politikisht aktiv, fillimisht si anëtar i Lëvizjes Serbe për Rindërtim, e më pas i Partisë Demokratike.

Gjatë fushatës, Nestoroviq iu drejtua votuesve me “shajkaça” – siç njihet kapela kombëtare serbe – në kokë.

Gjatë fushatës zgjedhore, ai e kritikoi vazhdimisht bashkëpunimin e Serbisë me vendet perëndimore.

“Serbia është në një situatë ku ka një klientelë perëndimore, e cila tregon përralla për rrugën evropiane. Ne ishim Evropë përpara se ajo ta dinte se [Evropa] ekziston”, tha Nestoroviq në një tubim zgjedhor më 10 dhjetor, transmeton Beta.

Më 6 dhjetor, Nestoroviq kritikoi edhe ministrat e Qeverisë së Serbisë që flasin për “miq nga Perëndimi”.

“Pranë miqve të tillë, ne vërtet nuk kemi nevojë për armiq”, tha ai.

Atëkohë, ai po ashtu tha se Perëndimi “nuk e fsheh” se është armik i Serbisë.

Theksoi se Marrëveshjet e Brukselit me Kosovën do t’i shpallte të pavlefshme.
Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, por Serbia nuk e njeh atë.

Nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve, të cilat duhet të rezultojnë me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme.

Në tubimin parazgjedhor të 13 dhjetorit, Nestoroviq tha se presidenti rus, Vladimir Putin, është “idhull i tij”.

Në listën “Ne, zëri i popullit” është edhe Dragan Stanojeviq, pak i njohur në Serbi, por i përshkruar si lojtar shumë pro-rus, i cili është nën sanksionet e Ukrainës.
Sociologu Zoran Stojilkovoq thotë se në Serbi, “për një kohë mjaft të gjatë, një lloj ndjenje pro-kineze dhe pro-ruse është ushqyer nga regjimi”.

“Ekzistojnë dy lloje të konsensusit të shumicës në elektoratin e polarizuar këtu – kundërshtimi ndaj integrimit në NATO dhe sanksionet kundër Rusisë. Nestoroviq ka marrë një pjesë të këtij disponimi”, thotë Stojilkoviq.

Gjatë fushatës zgjedhore në nëntor dhe dhjetor, lista e Nestoroviqit ishte e përfaqësuar dobët në televizionet me mbulim kombëtar, sipas një hulumtimi të Byrosë për Kërkime Sociale në Serbi (BIRODI).

Të dhënat tregojnë se në nëntor lista e tij kishte gjithsej pak më shumë se katër minuta në televizionet RTS, Pink, Happy, B92 dhe Prva.

Gjatë dhjetorit, lista e Nestoroviqit kishte gjithsej 20 minuta në kanalet televizive me mbulim kombëtar.

Ajo u prezantua kryesisht në një kontekst pozitiv, më pak në një kontekst neutral dhe asnjëherë në kontekst negativ.

Hapësirë më të madhe mediatike kishte në TV Happy.

Sa i përket numrit të përgjithshëm të minutave që lista “Ne, zëri i popullit” kishte në televizionet me mbulim kombëtar, ajo ishte në radhët e partive minoritare.

Para fushatës zgjedhore, Nestoroviq ishte mysafir i shpeshtë i Televizionit Happy, i cili ka mbulim kombëtar në Serbi. Aty, përveçse rrëfente teori të ndryshme konspirative, fliste edhe për tema gjeopolitike, si lufta në Ukrainë.

Kur fliste për luftën në Ukrainë, ai e bënte këtë nga një pozicion pro-rus.

Ueb-faqja e listës “Ne, zëri i popullit” regjistroi gati 93 mijë vizita në muajin e fundit.

Mesatarja e qëndrimit në ueb-faqe ishte mbi tre minuta, sipas të dhënave të faqes Similarweb, e cila regjistron analitikën e mbi një miliard faqeve.

Vendet nga të cilat u lexua më së shumti, ishin Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, ndërsa mosha e lexuesve ishte kryesisht nga 45 deri në 64 vjeç.

Domeni u regjistrua nga një person fizik i paidentifikuar, më 19 qershor të këtij viti.
Lexuesit arritën më shpesh në këtë ueb-faqe përmes platformës YouTube.

Kanali në YouTube i listës “Ne, zëri i popullit” ka gati 28 mijë abonentë dhe ka publikuar 183 video.

Kanali është hapur në shkurt të këtij viti dhe që atëherë ka 2.6 milionë shikime të videove.

Përveç kësaj, paraqitjet e Nestoroviqit në kanalin e të djathtëve, BalkanInfo, kanë edhe nga 190 mijë shikime.

Në rrjetin X – dikur Twitter – llogaria e këtij opsioni politik numëron rreth 2.000 ndjekës, ndërsa në kanalin Telegram pak më shumë se 8.000.

Në Facebook ka 16.000 ndjekës dhe mbi 8.000 pëlqime. Faqja është regjistruar më 18 maj të këtij viti dhe, sipas të dhënave të Meta-s, ajo nuk ka pasur reklama me pagesë gjatë fushatës.

Në Instagram, lista ka 3.500 ndjekës dhe këtë llogari e ka hapur në tetor të këtij viti.
Në rrjetin rus, Vkontakte, i cili konsiderohet si Facebook-u rus, ekziston edhe një profil “Ne, zëri i popullit” që ka 713 ndjekës.

Kanalet pro-ruse në Telegram nuk i kishin pothuajse fare në fokus zgjedhjet në Serbi, por postimet e rralla që mbështesnin ndonjë opsion politik, ishin pikërisht për listën e Nestoroviqit.