Sekretari i Shtetit i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Zheljko Brkiq, tha në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp se tre forcat speciale të Kosovës janë arrestuar më shumë se një kilometër në thellësi të territorit të Serbisë.
“Më 14 qershor në ora 12:38 në zonën administrative në drejtim të Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë, larg në thellësi të Serbisë qendrore, pjesëtarët e MPB-së, grupi antiterrorist i njësisë speciale të policisë kanë gjetur dhe arrestuar tre pjesëtarë të e ashtuquajtura policia e Kosovës”, tha Brkiq.
Të tre të arrestuarit, shton ai, ishin me mjete të plota ushtarake, të armatosur me tre automatikë, municion, pajisje GPS, harta dhe pajisje të tjera, shkruan Portali Mërgata.
Ai ka treguar se ata tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë ardhur në vendkalimin alternativ Tresava-Batnjik me një veturë zyrtare të markës Dacia Duster, kanë lënë veturën dhe kanë vazhduar në këmbë përgjatë rrugës Rahovë-Gnjilicë, ku janë gjetur dhe arrestuar.
“Vendi i arrestimit ndodhet në zonën e fshatit Gnjilicë, komuna e Rashkës, më shumë se një kilometër në thellësi në territorin e Serbisë qendrore”, thekson Brkiq.
“Republika e Serbisë është një vend serioz dhe anëtarët e MPB-së në asnjë moment nuk kanë kaluar, nuk kanë qenë afër vijës administrative, dhe kështu nuk kanë shkelur Rezolutën 1244, si dhe Marrëveshjen Ushtarako-Teknike dhe nuk kanë ndërmarrë ndonjë të kundërligjshme. Ata veprojnë gjatë trajtimit të personave të arrestuar”, thekson Brkiq.
Ai po ashtu tha se policia në bashkëpunim me Prokurorinë kompetente do të vazhdojë punën e mëtutjeshme.