Rrëzohet aeroplani në Rusi, vdes shefi i WAGNER

Një avion privat me dhjetë persona në bord – në mesin e të cilëve raportohet të ketë qenë edhe shefi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, u rrëzua në veri të Moskës, njoftoi Ministria ruse e Emergjencave. 

“Avioni privat, Embraer Legacy, u rrëzua jashtë lokalitetit të populluar, Kuzhenkino, në rajonin Tver. Dhjetë persona, përfshirë tre anëtarë të ekuipazhit, ishin në bord. Sipas raporteve paraprake, të gjithë humbën jetën”, tha shërbimi për shtyp i Ministrisë. 

Agjencia Federale për Transportin Ajror të Rusisë – Rosaviatsiya – shtoi se në listën e pasagjerëve ishte edhe emri dhe mbiemri i Yevgeny Prigozhinit. 

Avioni raportohet se i përkiste grupit të tij mercenar, Wagner. 

Sipas agjencisë së lajmeve TASS, ai po fluturonte nga Moska në Shën Petersburg. 

Një kanal në Telegram, i njohur si Gray Zone dhe i lidhur me Wagnerin, raportoi se avioni u rrëzua nga mbrojtja ajrore në rajonin Tver, në veri të Moskës. 

Megjithatë, zyrtarët nuk i komentuan arsyet e mundshme të incidentit. 

Rosaviatsiya tha se hetimet tashmë kanë nisur. 

Dikur aleat i presidentit rus, Vladimir Putin, Prigozhin udhëhoqi një rebelim të dështuar kundër forcave të armatosura ruse në muajin në qershor. 

Prigozhin nuk u arrestua apo ndalua në atë kohë, por Putin e cilësoi kryengritjen si “thikë pas shpine” dhe u zotua se do t’i ndëshkojë të gjithë “tradhtarët” e përfshirë. 

Nga ajo kohë, vendndodhja e shefit të Wagnerit ishte kryesisht e panjohur. Ai u shfaq në videon e tij të parë që nga rebelimi në fillim të kësaj jave. Në pamjet e xhiruara mesa dukej në Afrikë dhe të publikuara më 21 gusht në Telegram, Prigozhin u pa duke qëndruar në një shkretëtirë dhe me një pushkë në duar. 

Më parë, ai besohej se lëvizte midis Rusisë dhe Bjellorusisë. 

Përpjekja për rebelim u bë pas disa muajsh mospajtime publike me udhëheqjen ushtarake të Rusisë, për strategjinë e luftës në Ukrainë. 

Kreu i CIA-s, William Burns, tha muajin e kaluar se Putini ka gjasa që të hakmerret kundër Prigozhinit. 

Ai tha se do të habitej nëse Prigozhini do t’i shpëtonte ndëshkimit.