Reagon senatori amerikan: Lirimi i Radojçiqit është shqetësues, Vuçiqi ta de-përshkallëzojë situatën

Senatori amerikan, Chris Murphy, ka reaguar për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, për të cilin ka thënë se ishte mirë i koordinuar për të nxitur një konflikt akoma më të madh në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Murphy ka shprehur shqetësim edhe me vendimin e Prokurorisë së Serbisë për ta liruar kryeterroristin Milan Radojiçiq vetëm 24 orë pas arrestimit. Sipas senatorit amerikan, kjo mund t’i përkeqësojë tensionet Kosovë-Serbi.

“Autorët që së fundi vranë një rreshter të policisë së Kosovës në veri të Kosovës duhet të mbajnë përgjegjësi. Pasojat e atij sulmi mund të kishin qenë katastrofike – armatimi i avancuar dhe niveli i sofistikimit tregojnë se kjo ishte një përpjekje e mirëkoordinuar dhe e qëllimshme për të provokuar një konflikt më të gjerë të dhunshëm”, thuhet në deklaratën e tij.

“Jam thellësisht i shqetësuar se lirimi i Milan Radoiçiqit nga Serbia, i cili mori përgjegjësinë për sulmin, do të rrisë më tej tensionet midis Serbisë dhe Kosovës dhe do të minojë perspektivën për zbatimin e plotë të angazhimeve të marra në Dialogun e lehtësuar nga BE”, thuhet tutje.

Murphy i ka kërkuar presidentit serb Vuçiq që ta de-përshkallëzojë situatën dhe t’i mbajë terroristët përgjegjës.

“Presidenti Vuçiç duhet të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të de-përshkallëzuar situatën dhe për të siguruar që ka përgjegjësi për këtë akt të urryer”, ka thënë senatori amerikan.

Gjykata në Beograd e liroi Radoiçiqin të mërkurën derisa gjyqtari i procedurës paraprake refuzoi propozimin e Prokurorisë së Lartë për caktimin e masës së paraburgimit.

Me vendimin e 4 tetorit, Radoiçiqit i është ndaluar largimi prej territorit të Serbisë, pa miratim të gjykatës dhe i është ndaluar të hyjë në territorin e Kosovës.

Vendimi për lirim të menjëhershëm, sipas akterëve vendorë, dëshmon që arrestimi i kryeterroristit Radojiçiq ishte një farsë, sa për t’u hedhë “hi syve” ndërkombëtarëve. Këtë e kanë theksuar Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, dhe Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, të cilët kanë kërkuar ekstradimin e tij në Kosovë.

Ndërsa sipas Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Serbia zor se do t’ia dorëzojë Radojiçiqin autoriteteve të Kosovës, ndaj ka paralajmëruar fletë rreshtim ndërkombëtar që ta fusë atë në listën e të kërkuarve të Interpol-it.