Rama i përgjigjet ashpër kërcënimeve nga Beogradi: Mos harroni, ne jemi në NATO

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka quajtur të rrezikshme dhe të papranueshme kërcënimet e ministrit të Mbrojtjes të Serbisë, Millosh Vuçeviq, ndaj Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, i cili tha se do të goditen si Ukraina, meqë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Kryeministri Rama i cilësoi “të rrezikshme dhe të papranueshme” këto kërcënime nga Beogradi.

“Kërcënimet kundër stabilitetit dhe integritetit të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi janë të rrezikshme dhe të papranueshme”, shkroi Rama në rrjetin social “X”.

Ai kujtoi se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë aleatë në NATO dhe se janë të përkushtuara ndaj njëra-tjetrës në çështjet e sigurisë.

“Të mos harrojmë se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë aleatë të NATO-s plotësisht të përkushtuar ndaj sigurisë dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit”, shkroi Rama.

Vuçeviq foli për një mbështetje ndërkombëtare për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, duke theksuar se kjo nuk është çështje vetëm e Serbisë, por edhe e fqinjëve të saj. Por Rama tha se e ardhmja është “Europa e Madhe”.

“Ne kemi arritur në dekadën e fundit në këtë rajon atë që askush nuk mund ta imagjinonte në dekada të pafundme më parë dhe nuk mund dhe nuk do ta lejojmë askënd të na tërheqë prapa në të shkuarën që po e lëmë pas përgjithmonë! Së bashku! Europa e Madhe është e ardhmja jonë e vetme”, shkroi kryeministri Rama.