“Puna ngusht” edhe për Vuçiqin, lëshon deklaratë të çuditshme pas takimit me QUINT-in

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nuk do të komentojë asgjë pas takimit me përfaqësuesit e vendeve të QUNT-it.

“Kam marrë vendimin që të mos them asnjë fjalë për takimin me përfaqësuesit e vendeve të QUNIT-it dhe me shefin e delegacionit të BE-së në Serbi. Mendoj se është më mirë për të gjithë”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.

Presidenti i Serbisë, mëngjesin e së mërkurës, më 14 qershor, ka takuar përfaqësuesit e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Gjermanisë, si dhe me shefin e delegacionit të BE-së.

Takimi ka ndodhur një ditë pasi Policia e Kosovës ka arrestuar Millun Millenkoviq-Lunet në veri të Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Millenkoviq ishte një nga organizatorët e sulmit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan dy javë më parë.

Tensionet në veri të Kosovës u shtuan në fund të majit kur policia e Kosovës futi kryetarët e rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur që nga 26 maji, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të vendosen në objektet komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet mbetën të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

Këta kryetarë u zgjodhën më 23 prill, votime që u bojkotuan nga partitë dhe popullata lokale serbe.

Komuniteti ndërkombëtar e ka fajësuar Kosovën për situatën e krijuar në veri.