Është bërë publik dokumenti i kushtëzimit për të cilin foli pas takimit në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai tha se Serbia e kishte paraqitur këtë kinse si propozim për implementimin e Marrëveshjes Bazë, mirëpo, sipas Kurtit, është më tepër kushtëzim nga Serbia, që, “fillimisht Asociacioni, pastaj tjerat”.
Dokumentin e ka bërë publik këshilltari i Kurtit, Jeton Zulfaj, i cili tha se është gjashtë muaj i vjetër dhe se u përdor nga ndërmjetësit për ta shitur si përpjekje të Serbisë për t’u angazhuar në dialog, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Një dokument gjashtëmujor i vjetër u përdor sot nga ndërmjetësi për të mbuluar mungesën përpjekjeve të Serbisë për një plan të sekuencimit të marrëveshjes. Megjithatë, dokumenti është shumë i dobishëm për të kuptuar se si gjendja e Vuçiqit u bë pozicion i BE-së”, tha Zulfaj.
Ndonëse nuk figuron ndonjë datë, Kurti tha sot në konferencë për media që për palën kosovare është e qartë se ky dokument daton para gjashtë muajsh.
I gjithë dokumenti fokusohet në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, një kriter të cilin kryeministri kosovar vazhdon ta anashkalojë pasi thotë se “nuk duhet vendosur qerrja para kuajve”.
Fillimisht, është kërkuar që në mars të vitit 2023 të krijohet draft-statuti për themelimin e Asociacionit nga Ekipi Menaxhues e 90 ditë më pas të përfundojnë negocimet në këtë dokument.
Tutje, dokumenti kërkon që deri në fund të tetorit Asociacioni të themelohet përkitazi me kërkesat e marrëveshjes së vitit 2013.
E, pasi të kryhet ky proces, në dokument thuhet se vetëm atëherë Serbia do të angazhohet menjëherë në zbatimin e marrëveshjes sipas propozimit të Bashkimit Evropian.
Megjithatë, Kurti tha se nuk është rënë dakord me këtë kushtëzim teksa shtoi se Kosova ishte e vetmja palë që prezantoi plan të qartë për zbatimin e Marrëveshjes Bazë me sekuencim.
“Është për të ardhur keq se pikërisht kur jam konstruktiv dhe bëj propozime, shkaktohet njëfarë lloj nervoze në dhomë dhe vështirësohet dialogu. Është për të ardhur keq që Lajçak e ka pranuar propozimin e Serbisë”, deklaroi Kurti, para mediave, pas takimit me Vuçiqin.