Publikohet intervista e vitit 1999, ja çfarë thoshte Rugova për raportet LDK-UÇK

Një intervistë e ish-presidentit Ibrahim Rugova e realizuar në tetor të vitit 1999, ka rikthyer në vëmendje disa deklarata të tij lidhur me raportet me Thaçin dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Duke ditur se po në këtë kohë në Hagë po zhvillohet një gjykim ndaj krerëve të UÇK-së e ku këta të fundit akuzohen edhe për krime ndaj përkrahësve të LDK-së, kjo ka nxitur shumë reagime.

Në këtë intervistë të Rugovës në vitin 1999, ai i vlerësonte raportet me Thaçin si tejet të mira, dhe që qytetarët nuk duhet t’i fryejnë përçarjes, por unitetit.

“Në përgjethsi janë të mira dhe gjithnjë janë më të mira. Mos të harrojmë Thaçi dhe të tjerët nuk kanë qenë në jetën normale, tash jemi në jetë normale. Është epokë e re për Kosovën. Fatlumëri që të gjithë jemi në Prishtinë, edhe Thaçi edhe Bukoshi edhe të tjerët. Njerëzit që i kemi pasur jashtë institucioneve, prandaj gjithnjë e më shumë do të afrohemi e bashkëpunojmë. Është unitet plural, dhe nuk duhet t’i fryejëm erës së përçarjes, është një fantom që na përcjellë shqiptarëve, dhe nganjëherë e nxjerrim si gogol pa pas nevojë. Duhet të kuptojmë se është unitet plural me shumë njerëz”, deklaronte Rugova për raportet me Thaçin.

Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Rugova e vlerësonte si një nga faqet me të ndritshme të Kosovës.

“Do të mbetet ndër faqet më të ndritshme, edhe konkretisht kemi bërë forcat mbrojtëse të Kosovës, TMK-në, të cilat kanë marrë numër të djemve të UÇK-së dhe natyrisht do të jenë trupa civile momentalisht që do t’i marrin të rintjë e tjerë të Kosovës dhe do të fitojnë disiplinë për jetë, sepse trupat e ndryshme nuk janë vetëm për konflikte por edhe rregull”, deklaronte Rugova.

Rugova në atë kohë theksonte faktin që një numër i zyrtarëve të LDK-së, kanë qenë pjesë e UÇK-së.

“Ja ka LDK-ja qëndrim të qartë e ka pasur, ja ska tjetër kush. Gjatë luftës dhe në UÇK një numër i njerëze, spo dua t’i ndaj njerëzit sipas partive, por të LDK-së që kanë marrë pjesë, kanë rënë dhe masakrimi masiv i udhëheqës së LDK-së nga profesor Agani e tutje. Qëllimi i Beogradit ishte, s’mundi ta zhdukë LDK-në, kur e përzu me krejt popullin së bashku”, deklaronte ish-presidenti Ibrahim Rugova.

Kjo intervistë u publikua dje në emisionin “Fakte me Adnan Merovcin”.

Deklaratat e Rugovës dhe pretendimet e Prokurorisë së Hagës

Përderisa Rugova në atë kohë flistë në superlativa për UÇK-në dhe bashkëpunimin e LDK-së me ushtrinë dhe raportet me Thaçin, akuza të rënda ka ngritur Prokuroria e Hagës ndaj Thaçit, Selimit, Krasniqit e Veselit.

Në fjalën hyrëse që Prokuroria e Specializuar e Hagës e kishte pasur në prill të këtij viti, e akuzonte Thaçin se bashkë me ushtarë të tjerë, i ndalonin përkrahësit e LDK-së.

“Hashim Thaçi dhe Sabit Geci morën në pyetje të ndaluarit duke i identifikuar si Rugovistë, duke i kërkuar që të nënshkruanin deklaratat për të hequr dorë nga Ibrahim Rugova dhe duke kërkuar të heqin dorë nga LDK-ja dhe të jepnin dorëheqje nga të gjitha funksionet parlamentare…Të ndaluarit u morën në pyetje dhe u keqtrajtuan se ishin spiunë apo simpatizantë të presidentit Rugova dhe të LDK-së. U morën në pyetje për mbështetje të LDK-së dhe për kundërshtimin e UÇK-së”, u shprehte prokurori James Pache.

Këto pretendime, përmenden edhe në aktakuzën ndaj katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim THAÇI, Kadri VESELI, Rexhep SELIMI, Jakup KRASNIQI dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë. Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Në anën tjetër, mbrojtja e krerëve të UÇK-së ka paraqitur disa intervista të tilla të Rugovës, ku ai fliste për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.