Policia kremton 24 vjet nga themelimi, tregon pajisjet dhe mjetet në shesh

Me rastin e shënimit të Ditës së Policisë së Kosovës, janë ekspozuar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë njësitet dhe pajisjet policore, për të cilat po interesohen qytetarë të shumtë që t’i shohin.

Armë, robotikë, automjete, autoblinda, motorë, pajisje të forenzikës dhe ato të mjekësisë janë ekspozuar që qytetarët e Kosovës të njihen më afër me to, dhe të dinë funksionin dhe rëndësinë e tyre.

Po ashtu përmes një projektori, po shfaqen disa prej aksioneve të policisë që konsiderohen si operacionet më të rëndësishme që janë kryer nga zyrtarët policorë.

Juristja, Dorentina Bujupi shprehet krenare për punën që kryen Policia e Kosovës, derisa thotë se ekzistojnë disa të drejta të cilat nuk po realizohen nga ana e institucioneve, për të cilat shprehet se duhet të zbatohen kërkesat e policisë lidhur me shtesat dhe ndërrimet e natës.

Ndërkaq, qytetarë të tjerë shprehen të kënaqur me sigurinë qe ofrojnë zyrtarët policorë, derisa shtojnë se Qeveria duhet bërë më shumë për të forcuar policinë.

Me rastin e kësaj ekspozite, fëmijë të shumtë shprehën interesimin për pajisje të ndryshme, të cilët shprehën dëshirën e tyre të madhe që në të ardhmen të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës, siç thonë ata për t’i shërbyer vendit.