Policia e zë Jabllanoviqin duke e kaluar ilegalisht kufirin

Policia e Kosovës e ka ndaluar mbrëmë vonë ish-ministri për kthim dhe komunitete në Qeverinë e Kosovës, Aleksander Jabllanoviq.

Bëhet e ditur se Jabllanovic është ndaluar nga policia në një rrugë ilegale në Leposaviq.

Në momentin e ndalimit, Jabllanovic ka qenë në veturë bashkë me gruan dhe fëmijët e tij.

Pas verifikimit të të dhënave dhe intervisimit në vendin e ngjarjes, ish-ministri është liruar në procedurë të rregullt.

Burimet bëjnë të ditur se policia kufitare i ka hapur rast për kalim ilegal.

“Njësiti policor derisa ka qenë në pikë statike në rrugën për në Izvore kanë ndaluar automjetin me targa të huaja të cilën kishte qenë duke e drejtuar i dyshuari mashkull kosovar dhe pasagjerja femër kosovare si dhe dy fëmijë. I dyshuari me veturë përmes rrugëve alternative jashtë vendkalimit kufitar në mënyrë ilegale nga territori i Serbisë kishte hyrë në territorin e Kosovës. Pas intervistimit me urdhër të prokurorit është hapur rasti, të ndaluarit janë liruar në procedurë të rregullt”, tha policia.