Osmani gjen pak hapësirë, kështu e arsyeton Kurtin për përplasjen me amerikanët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë një intervistë relativisht të gjatë për medien e njohur “Reuters”, ku ka folur për situatën e fundit në veri të Kosovës. Në këtë intervistë, Osmani ishte e ashpër me homologun e saj serb, Aleksandar Vuçiq, të cilin e takoi javën e kaluar gjatë një samiti në Moldavi.

Osmani u pyet për deklaratën e kryeministrit Albin Kurti se Perëndimi po tenton ta kënaq Serbinë, duke thënë se edhe mes miqve nganjëherë ka mosmarrëveshje.

“Menoj që duke qenë se kam punuar në institucionet e Koosvës për një kohë, ka kohë kur ne kemi mosmarrëveshje me bashkësinë ndërkombëtare mbi taktikën. Por, shiko, edhe në mes të miqve më të mirë, edhe mes familjes, ju nganjëherë keni mosmarrëveshje. Por ne s’kemi mosmarrëveshje, sipas vlerësimi tim, me bashkësinë ndërkombëtare, është ku regjioni duhet të lëvizë përpara dhe ajo është integrimi euro-atlantik. Ne s’kemi mosmarrëveshje se ku përket Kosova dhe ajo është në BE dhe NATO dhe në secilën organizatë tjetër që është në interesin tonë” – deklaroi Osmani.

Shefja e shtetit deklaroi se mes Kosovës dhe ndërkombëtarëve s’ka mosmarrëveshje rreth forcimit të sovranitetit të Kosovës.

“Nuk besoj që kemi mosmarrëveshje me bashkësinë ndërkombëtarë në përpjekjen tonë të përbashkët për të forcuar sovranitetin, integritetin territorial të Kosovës, si dhe pavarësinë tonë. Në fakt, arsyeja pse Kosova ka qenë e suksesshme, përveç qëndrueshmërisë së popullit të saj, për shkak se kemi pasur aleat në anën tonë.…Edhe pse nganjëherë mund të mos pajtohemi ose mund t’i shohim gjërat ndryshëm mbi atë se si po shihet Serbia, se si po trajtohet Serbia, unë mendoj që duhet të fokusohemi tek pozitivja, duhet të fokusohemi se çfarë na mban bashkë.” – shtoi ajo.