Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi Serbinë se po instrumentalizon popullsinë lokale serbe në veri të Kosovës, që sipas saj, “të krijuar vakum institucional, klimë të përgjithshme frike dhe pasigurie”.
Këto deklarata Osmani i bëri gjatë takimit me të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Takimi mes Osmanit dhe Sarrazinit vjen një ditë pas përleshjeve mes Policisë së Kosovës dhe grupeve të serbëve lokalë në veri të Kosovës.
Policia e Kosovës përdori gaz lotsjellës dhe shok-bomba për të shpërndarë serbët e mbledhur para ndërtesave të Komunës së Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, të cilët kundërshtuan hyrjen në zyrat komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë të këtyre komunave.
“Presidentja Osmani ka theksuar se veprimet kriminale në veri të orkestruara nga struktura ilegale të mbështetura nga Beogradi, kanë për qëllim moslejimin e kryetarëve të ri të komunave në veri të vendit të ushtrojnë detyrat sipas ligjit dhe Kushtetutës dhe instrumentalizimin e popullatës lokale serbe për të krijuar vakum institucional, klimë të përgjithshme frike dhe pasigurie”, u tha në njoftimin e Presidencës kosovare.