Prokuroria e Specializuar e Kosovës ka dhënë detaje për aksionin e sotëm në ministrinë e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë ku u arrestuan dy persona, si dhe më vonë për vënien nën pranga të mikut të kryeministrit Kurti, Ridvan Muharremi.
Në një komunikatë për media, PSRK bën me dije se të njëjtit po dyshohen për dy vepra penale.
Ndaj tyre janë siguruar edhe disa prova.
Njoftimi i plotë nga Prokuroria:
Me urdhër tëProkurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës – Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka realizuar sot bastisje në lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku kanë arrestuar tre (3) persona me inicialet R.M. H.G dhe I.L.
Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se tre personat e arrestuar, R.M. H.G dhe I.L. dyshohen për veprat ‘’Keqpërdorim i detyrës zyrtare’’, si dhe ‘’Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.
Ndërkaq, gjatë bastisjes janë siguruar dhe sekuestruar prova materiale të cilat do të përdoren për procedurë të mëtutjeshme hetimore.
Të njëjtit me urdhër të Prokurorit të Shtetit, do të dërgohen në mbajtje për 48 orë, si dhe brenda afateve ligjore kohore do të bëhet kërkesë për caktimin e paraburgimit.