“Një grua tjetër bëhet shofere e autobusit”, ajo që për mërgatën është normale, në Kosovë bëhet lajm

Në mediat vendore në Kosovë sot është bërë lajm që edhe një qytetare e gjinisë femërore, Mehreme Brahimi, është bërë shofere e autobusëve të Ndërmarrjes Publike Komunale “Trafiku Urban” në Prishtinë.

Ajo që për shumë mërgimtarë shqiptar që jetojnë jashtë vendit është krejt normale, pasi që çdo ditë mund të shohin gra që vozisin autobusë, ka qenë lajm i ri për kryeshefin e “Trafikut Urban”, Burim Maraj.

Maraj në Facebook ka deklaruar se është i kënaqur me përparimet e ndërmarrjes që drejton dhe përfshirjen e sa më shumë grave në këtë segment dhe pozita të ndryshme të ndërmarrjes.

Maraj tha më tej se numri i qytetarëve që shfrytëzojnë shërbimet e Trafikut Urban është duke u rritur ndjeshëm dita ditës.

Vlen të përmendet se Mehreme Brahimi është punëtore e ndërmarrjes që nga viti 2019.