Në Gjykatën e Lartë të Bernës është mbajtur seanca e rigjykimit ndaj kosovarit që dyshohet se tentoi të vriste ish-bashkëshorten e tij.
Sipas kosovarit, ai thjesht ka dashur ta trembte ish-gruan e tij dhe jo ta mbyste, shkruan Portali Mërgata.
Bazuar në dyshimet ndaj kosovarit, prokuroria dyshon se i njëjti fillimisht i kishte premtuar ish-gruas se do t’ia dorëzonte djalin e tyre të përbashkët, por që pas takimit me ish-gruan në një vend të errët afër varrezave, i njëjti nuk e kishte pasur djalin me vete por dy rripa të lidhur dhe një thikë.
Gjykata rajonale Bernese Jura-Seeland, në shkallën e parë kishte vendosur se kosovari ka tentuar ta vriste ish-gruan e tij, duk e e dënuar kështu me shtatë vjet e gjysmë burg për tentativë vrasjeje, ndërsa i akuzuari tashmë po kërkon rigjykim në Gjykatën e Lartë të kantonit të Bernës.
Deri sa viktima, në këtë rast ish-gruaja e kosovarit ka dëshmuar para gjykatës se i dyshuari ka dashur ta vriste, duke i shtrënguar rripin në qafë, i dyshuari ka deklaruar se asnjëherë nuk ka pasur për qëllim ta vriste atë.
Avokati mbrojtës i kosovarit ka deklaruar se viktima në këtë rast është duke e ekzagjëruar rastin dhe po e bën histori të frikshme, pasi që sipas tij e gjithë ngjarja ka ndodhur brenda 10 sekondave. /PortaliMërgata/