Dy banka të mëdha në Gjermani për vite me radhë në platformat e tyre e kishin prezantuar Kosovën si pjesë të Serbisë, por prej tash e tutje kjo ka ndryshuar.
Kështu ka njoftuar ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, përmes një postimi në Facebook, më 05.11.2024
Ajeti ka thënë se kanë reaguar dhe janë angazhuar si ambasadë që Deutsche Bundesbank dhe Commerzbank të përmirësojnë gabimin e tyre, dhe se një gjë e tillë është arritur së fundmi.
“Falë reagimit dhe angazhimit tonë, si dhe bashkëpunimit me këto institucione bankare, Republika e Kosovës tashmë nuk figuron dhe nuk do të lidhet më në asnjë mënyrë me Serbinë, siç mund të vërehet edhe nga dëshmitë përkatëse”- ka shkruar Ajeti në Facebook më 05.11.2024.
Para përmirësimit, emri i Kosovës në këto dy portale shkruhej si “RS-SerKos”.