Mori ryshfet nga dy mërgimtarë, arrestohet zyrtari komunal në Deçan

Hetuesit policorë në Pejë kanë arrestuar një punonjës zyrtar në komunën e Deçanit, nëpunës në Qendrën Komunale të Regjistrit Civil, pasi i njëjti po akuzohet për marrje ryshfeti.

Siç ka bërë të ditur Policia e Kosovës, i dyshuari H.I., ka marrë rreth 1800 euro nga një qytetar me vendbanim në Zvicër për ta regjistruar në sistemin e gjendjes civile në Deçan.

“I dyshuari, H.I., (viti i lindjes 1964, mashkull kosovar), nëpunës në Qendrën Komunale të Regjistrit Civil – Deçan, gjatë vitit 2022 dhe fillim të vitit 2023, në tri raste përmes institucioneve bankare ka pranuar të holla (rreth 1800 euro). I dyshuari, të hollat i ka pranuar nga viktima e rastit J.J., nga Deçani i cili jeton në Zvicër, me qëllim që të njëjtin ta regjistrojë në sistemin e gjendjes civile në Deçan”.

I njëjti dyshohet se këtë veprim e kishte përsëritur edhe së fundmi, me një tjetër qytetar me vendbanim në Gjermani.

“Po ashtu në fund të muajit gusht 2023, në Facebook është publikuar edhe një pretendim se i dyshuari, në mënyrë të njëjtë ka vepruar edhe me qytetarin H.E., i cili jeton në Gjermani”.

Pas intervistimit nga Policia, i dyshuari është dërguar në mbajtje.