“Përgjigje për 10 sekonda,” – i tha moderatori Ali Asllan kryeministrit tonë pasi e mbaroi fjalën e saj kryeministrja serbe Ana Bërnabiq. Vetëm 10 sekonda. Audienca shpërtheu në të qeshura.
Kryeministrja serbe kishte thënë që për të e për Serbinë shteti ynë nuk ishte shtet. Qëndrim i shprehur dhjetëra mijëra herë tjera nga ajo dhe nga politikanë të sojit të saj.
“Ne jetojmë për paqe dhe stabilitet,” – tha Bërnabiqi mes tjerash duke provuar ta vizatonte Serbinë si një vend konstruktiv në dialog dhe konstruktiv në raport me botën.
Për të parë videon e fjalimit të Kurtit, klikoni KËTU.
Çka tha Kurti në ato ’10 sekonda’ që mori dhenë?
“Mbështetja në Kosovë për Bashkimin Evropian është 94%, në Serbi është diku 35%…” – e nisi fjalën e tij kryeministri i Kosovës.
“Ne kemi vënë sanksione ndaj Federatës ruse, Serbia nuk po mendon për një gjë të tillë.” – vazhdoi ai, e me të edhe duartrokitjet e dhjetë a njëzet njerëzve që ishin në publik.
Kaq? Po kaq. Domethënë, kaq ishte pjesa që u mediatizua me të madhe në Kosovë. Asgjë më shumë? Asgjë më shumë.
Pra, kryeministri i Kosovës i tregoi nja dy fakte të qarta për të cilat u duartrokit nga një numër i vogël pjesëmarrësish që ishin aty.
Fjalët e Kurtit
Është e vërtetë që mbështetja në Kosovë për BE-në është shumë e madhe.
Për t’u treguar cinikë, fjalia e kryeministrit mund të ishte edhe si vijon: “Mbështetja në Kosovë për Bashkimin Evropian është 94%, e pjesa tjetër 6%, jemi ne Qeveria e Kosovës.” Pse? Sepse sulmet më të mëdha ndaj BE-së në Kosovë kanë ardhur pikërisht nga goja e kryeministrit Albin Kurti dhe nga tastierat e vartësve të tij.
“…unë kam pohuar se masat e njëanshme të BE-së kanë sjellë çekuilibër serioz në dialog,” – kishte thënë ai mes shumë e shumë deklaratave tjera kritike ndaj BE-së. Besoj iu kujtohet edhe kur zyrtarë të ndryshëm të VV-së e quanin kryediplomatin e BE-së “vorr”. Ata ia përdridhnin emrin nga Borrell në Vorrell. Eh, gjëra që ndodhin!
Edhe aktualisht që po flasim, Qeveria e Kurtit me BE-në është në përplasje të hapur në lidhje me dialogun. BE-ja na ka sanksionuar. Kurti e sheh si të padrejtë sanksionimin. E ka quajtur të anëshëm ndërmjetësimin. Dhe efektivisht, ka shërbyer më shumë se kushdo tjetër që të ulej mbështetja për Bashkimin Evropian.
Jehona
Albin Kurti është bindshëm politikani më popullor në Kosovë. Ka një mbështetje të madhe. Ka pushtetin më të madh në histori të demokracisë tonë. E megjithatë, duket se të tijët kanë nevojë për një farë validiteti që vjen në formë duartrokitjesh nga njëzet a tridhjetë vetë në ndonjë forum ndërkombëtar.
Siç mund ta keni vërejtur, nuk ishin fjalët ajo që u duartrokitën në Kosovë. Ishte duartrokitja ajo që u duartrokit në Kosovë. Pra, qytetarët e Kosovës po rrehnin shuplaka për rrahjen e shuplakave nga ata pak njerëz.
Diçka tjetër?
Kurti në fakt e pati edhe një tjetër fjali goxha më impresionuese gjatë atyre “10 sekondave”.
“… normalizimi në psikologji nënkupton mungesën e konfuzionit mes realitetit dhe fantazisë. Dhe ky është një tjetër regjistër ku unë fatkeqësisht nuk mund të kontribuoj.”
Është e vërtet. Serbia vazhdon të ketë konfuzion të thellë mes fantazisë dhe realitetit sa i përket Kosovës. Sidoqoftë, fatkeqësisht kjo fjali nuk u duartrokit nga të pranishmit.