Mërgimtari vdes në Kosovë, dërgohet pa shenja jete pasi konsumoi pije energjike

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të martën në Ferizaj, ku një person është dërguar pa shenja jete në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm dhe akoma nuk dihet shkaktari i vdekjes. Policia tashmë ka nisur hetimet dhe rasti është cilësuar si ‘Vdekje e dyshimtë’.

Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se 44-vjeçari që humbi jetën është Jahir Isufi, mërgimtar, i cili që shumë vite ka jetuar me familjen e tij në Gjermani.

Sipas informacioneve të para, viktima u dërgua në spital nga familjarët e tij dhe fatkeqësisht aty vetëm është konstatuar vdekja e tij, pasi ishte pa shenja jete.

Lidhur me rastin, Policia ka marrë deklaratat e disa dëshmitarëve, që kanë rrëfyer para Policisë se gjendja shëndetësore e Jahirit ishte përkeqësuar pasi kishte konsumuar një pije energjike.

Lidhur me këto informacione tashmë është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që të hetohet rasti dhe të konfirmohen ose jo pretendimet e tilla pasi të sigurohen provat e nevojshme.

Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.