Mërgimtari shpallet studenti më i mirë i policisë së Nju-Jorkut

Laert Sallaku ishte gjimnazist kur u largua nga Tirana më 2017. Ai u vendos në Nju-Jork, ku këtë vit u diplomua si oficer i policisë me mesataren më të lartë ndër gjithë studentët e tjerë. Për këtë u nderua me cmim nga Kryetari i Bashkisë së Nju-Jorkut.

Mes 600 oficerëve të sapodiplomuar, Laert Sallaku u rendit i pari me rezultatin 99.6 për qind dhe në ceremoninë ai tregoi rrugëtimin e tij që nisi në shkollë të mesme.

“Rrugëtimi im për t’u bërë një oficer i Nju-Jorkut filloi rreth 6 vite më parë, kur në moshën 17-vjeçare emigrova në Nju-Jork. Si  një emigrant i ri u përballa me diversitetin dhe karakterin gjithëpërfshirës të qytetit, ku menjëherë u ndieva i pranuar dhe se e kisha vendin këtu”, tha Sallaku.