Kryediplomati britanik, David Cameron, këtë javë ishte në vizitë në Kosovë, ku u takua me krerët e shtetit, të cilëve ua konfirmoi mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën.
Mbështetjen, vlerësimin dhe interesimin për të dëgjuar rrëfimet e kosovarëve, Cameron e ka treguar edhe në vendin e tij, duke zgjedhur të qethet nga një kosovar – afarist i famshëm në Londër, dhe të bisedojë me të rreth vendit tonë.
“Fillimisht klient ynë u bë djali i David Cameronit dhe i ka pëlqyer shumë si shërbimi ynë, ashtu edhe lokali. Pastaj erdhi edhe Cameroni. Kemi qenë shumë miqësorë me njëri-tjetrin. Kemi folur shumë për Kosovën në atë kohë”, kujton Valon Sadiku nga Prishtina, i cili në Londër ka shkuar si student më 2008, dhe më pas ka vendosur të qëndrojë atje dhe sallonin e parë me emrin “The Groomsmith” e ka hapur në vitin 2017.
“Më pyeti prej nga jam. I erdhi shumë mirë kur i kam thënë se jam nga Kosova. Ka treguar interesim, më bënte pyetje. Më tha se kosovarët janë popull shumë i mirë. Po ashtu shtoi se i ka raportet shumë të mira me Edi Ramën”.
“I tregova që kemi vuajtur shumë si popull. E falënderova që shteti i tij na ka ndihmuar, veçanërisht Tony Blair, dhe që na kanë pranuar si refugjatë e na ndihmuan gjatë luftës”, shprehet Sadiku për Klankosova.tv, duke shtuar se politikani britanik ka qenë dy herë klient i tij dhe se gjatë asaj kohe kanë bashkëbiseduar dhe pirë kafe në lokalin e tij, i cili njihet për veçantinë që e karakterizon.
Sadiku tutje tregon se në Londër i ka hapur tri sallone dhe se ato njihen atje për enterierin më të bukur dhe për shërbimin më të mirë që e ofrojnë.
“The Groomsmith” ndodhet në hyrje të Borough Market, që është një sallë tregu, e cila njihet si një nga vendet më të mëdha dhe më të vjetra të ushqimit në Londër, me një objekt që daton të paktën në shekullin e 12-të.
Ky lokacion atraktiv ka ndikuar që kosovarit në lokal t’i shkojë edhe një figurë tjetër shumë e rëndësishme botërore, siç është Keith Rupert Murdoch – manjat biznesi, investitor dhe pronar mediash, që njihet edhe si personi i 31-të më i pasur në SHBA.
“Ai duke shkuar në market, e ka parë lokalin tim dhe i ka pëlqyer, e pastaj ka vazhduar të vijë tërë kohën për t’u qethur te ne. Për shtatë vjet e kemi klient të rregullt. Vizita e tij e fundit ishte para dy javësh”.
“Zyrën e ka afër lokalit. Ajo që i pëlqen shumë te ne, përveç tjerash, është edhe eksperienca për të pritur në radhë, pra, që po e trajtojmë si njeri të thjeshtë”.
“Edhe Murdoch flet shumë mirë për Kosovën. E njeh situatën e luftës dhe të gjitha problemet me të cilat ballafaqohet vendi ynë”, thotë Valon Sadiku.
Zanati që fillimisht e kishte nisur në Prishtinë në lokalin “Trend” që e hapi së bashku me të vëllanë binjak Kushtrimin në lagjen Pejton në vitin 2001, po i hyn në punë për t’i zbukuruar edhe të famshmit tjerë që i ka klientë në Londër.
Në mesin e tyre janë edhe ish futbollistët Thierry Henry dhe Jamie Redknapp. Ata janë qethur nga kolegu i Valonit, dhe më pas si shenjë falënderimi kanë lënë edhe autografet e tyre në një top.
Përkrahës ndaj biznesit të prishtinasit po tregohen edhe figura publike shqiptare, siç janë futbollisti Armando Broja, ambasadori i Kosovës, Ilir Kapiti (për të cilin thotë se është klient i rregullt), familjarët e këngëtares Dua Lipa, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, etj., të cilët siç thotë Sadiku, sa herë janë në Londër, i shkojnë në lokal për ta shfrytëzuar shërbimin e tij për qethje të flokëve, dhe se kjo e bën krenar.
Prishtinasi që është zhvendosur në Mbretërinë e Bashkuar, tutje shprehet se gjithmonë e ka pasur ëndërr që të hapte lokalin e tij në Londër. E suksesi i treguar dhe pasioni që e ka për këtë profesion i ka ndihmuar që tashmë atje të ketë tri lokale në funksion dhe se në plan e ka që të zgjerohet edhe me sallone të flokëve për femra.
“Jam krenar për këto arritje. Le të pranojmë që është disi punë e madhe të kesh klientë të kalibrit të tillë”, thotë ai.
“The Groomsmith” e Valon Sadikut i ka 14 persona në staf, prej tyre tre shqiptarë, ndërsa pjesa tjetër janë të komuniteteve të tjera.