Mërgimtarët vizitojnë Kuvendin, aty ku para ca ditësh “krisi” grushti mes deputetëve

Nga mëngjesi janë hapur dyert e Kuvendit të Kosovës për pritjen e mysafirëve nga diaspora. Bashkatdhetarë gjithandej botës kanë mundësi që të vizitojnë hapësirat e institucionit, ku burojnë ligjet në përmirësim të jetës së tyre dhe familjarëve që kanë në Kosovë. Ata po priten nga deputetë dhe zyrtarë të kuvendit, të cilët informojnë rreth punës së këtij institucioni.

I riu që po studion mjekësinë në Itali, synon që një ditë të zë njërën nga ulëset e deputetëve në sallë plenare. Albion Krasniqi, ka qenë nga të parët që ka vizituar sot kuvendin, ku tha se shpreson që shpejt të kthehet për të kontribuar në Kosovë.

“Shpresoj që një ditë do të kthehem dhe do të kontribuojë edhe në aspektin politik edhe në aspektin shëndetësor si një mjek i ardhshëm në Kosovë…Po, unë kam aspirata për çështje politike dhe rrënjësisht edhe familja ime ndër breza na i ka kultivuar dashurinë për atdhe dhe shpresoj që një ditë në tëra mënyrat të cilat dituria ime arrin të kontribuojë për shtetin tim”, tha Krasniqi.

Po ashtu, ai shpreh pakënaqësitë e tij në lidhje me punën e qeverisë dhe kuvendit. Ai tha se nuk po punohet mjaftueshëm as për diasporën.

“Mjaftueshëm mendoj që nuk po bëhet akoma, por mendoj që duhet sidomos studentëve që kanë vendosur të studiojnë në shtetet e perëndimit, t’i ofrohen më shumë mundësi që një të ardhme të afërt të kthehen dhe të kontribuojnë këtu…Diçka që do të doja të ndryshojë është më shumë të investohet në infrastrukturë, sepse mendoj që ka nevojë ende Kosova aty. Çështja tjetër është të investohet më shumë në rini, sepse rinia është vlera më e madhe e një shteti”, shtoi ai.

Për Ismail Tahirin, i cili jeton në qytetin e Cyrihit në Zvicër, është hera e parë që po sheh nga afër hapësirat e parlamentit.

“Hera e parë që vije në parlament, po e ndjej vetën si në shtëpinë time… Arsyeja (pse ka ardhur në kuvend) çdo ditë kur zgjohem në mëngjes, a jam në punë apo në shtëpi unë i lexoj lajmet vendore, ndërkombëtare por edhe ato të armikut shumëvjeçar. Sot e mora lajmin që është dera e hapur për mërgimtarët nga mëngjesi dhe e shfrytëzova rastin që të vije me familje në Parlamentin e Kosovës”, u shpreh ai.

Tahiri i cili jeton tash e 34 vjet larg Kosovës, u shpreh se është i kënaqur me institucionet e vendit. Po ashtu, pati edhe një kërkesë për partitë opozitare.

“Për qeveritarët jam shumë i kënaqur, absolutisht. Korrupsioni mund të fol, për njerëzit që i njoh se jam në dy-tri shoqata, jemi shumë të kënaqur. Buxhetin si duket po duket që po kursehet….Është mirë me ju dhënë shans që atë 1 vit e gjysmë që e kanë humbur me ua lon jo vetëm katër vjet, por me ju zgjat që me i lënë të punojnë edhe të realizojnë ato projekte që na i kanë premtuar. Jo të ju bëhet shtypje dhe presion. Opozita është në çdo aspekt, se lexoj goxha shumë e përcjelli edhe politikën vendore dhe ndërkombëtare edhe të armikut, që me i lënë të punojnë edhe me i përkrah, kur e kanë gabim me u tërheq vëmendjen. E jo në këtë situatë që e kemi të ndërlikuar me shtetin serb, tash qeverinë duhet me përkrah, jo me ju gju e me ja nxënë frymën e me ngulfat, nuk është traditë e shqiptarit. E atë problem shpresoj që në vitin që vjen le të vetëdijesohen edhe opozita le ta prekin kokën që ka edhe fëmijë që e përcjellin situatën politike dhe vendore, po na shikon krejt bota”, tha ai.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari tha se bashkatdhetarët që vijnë për të vizituar kuvendin, ju intereson pamja e sallës ku mbahen seancat dhe ulëset e deputetëve.

“Sot dyert e kuvendit për bashkatdhetarët tanë që gjenden në botën e jashtme, janë hapur që nga ora 08:00. Nesër dhe pasnesër fillon nga ora 13:00, një ditë deri në orën 16:00, një ditën deri në orën 17:00. Paraditja tash ndoshta është e papërshtatshme për shkak se mërgimtarët janë në pushim, vijnë bëjnë vizita të shumta, shkojnë nëpër dasma, qëndrojnë deri vonë edhe paraditja mund të jetë jo e përshtatshme për ta. Megjithatë, kanë filluar të vijnë dhe ta vizitojnë sallën e kuvendit, të marrin njoftime të ndryshme për personat që janë të caktuar këto t’i njoftojnë për strukturën e kuvendit, për punimet e kuvendit si zhvillohen”, tregoi Dehari.

Edhe deputeti Enver Dugolli theksoi se mërgimtarët janë aktiv sa i përket politikës në Kosovë. Sipas tij, diaspora vazhdon të jetë optimiste në të arriturat e qeverisë dhe në përmbushjen e premtimeve.

“Interesimi i tyre, po flas për vitet e kaluara se tash është herët, kishte të bënte shumë për ligjet e sidomos për Ligjin për Reformën Zgjedhore, për të cilën ata ishin shumë të interesuar, e kësaj radhe me kënaqësi do ta komunikojmë se e kemi përfunduar atë ligj. Tani e tutje mënyra e votimit do të jetë shumë më e lehtësuar, shumë më e thjeshtëzuar dhe besoj se ky është një premtim i yni që e kemi bërë që do ta bëjmë atë ligj sepse ka qenë një padrejtësi e madhe e ushtruar për vite ndaj bashkatdhetarëve”, shtoi ai.

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosjes, siç tha Dugolli, gjatë të mërkurës do të organizojë një pritje për bashkatdhetarët.

Sipas tij, të rinjtë nga Kosova po avancojnë në forma të ndryshme dhe janë në pozita të larta menaxheriale.