Marrëveshje për armë, por edhe sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Serbinë.
SHBA së fundmi ka ndëshkuar shefin e shërbimit secret të Serbisë, Aleksandër Vulin, i cili në të njëjtën kohë llogaritet si njeriu kryesor i presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, shkruan media gjermane “Der Standard”, transmeton Portali Mërgata.
Kur ishte ministër i brendshëm, Vulin vendosi lule para një muraleje të atij që njihet si vrasës i masave të popullatës civile, Ratko Mlladiq në Beograd.
Me veshje fashiste, Vulin mashtronte emigrantët në kufi, ndërsa dyshohet se mbështeti shpërndarësit e drogës dhe rregullisht merrte udhëzime nga Kremlini i Rusisë.
Aleksandër Vulin – shefi i inteligjencës së Serbisë që nga viti 2022, njihet si “njeriu kryesor i Moskës” në Beograd. Një armik racist, anti-mysliman i krahut të djathtë, i cili u rrit nën atë që njihet si “Kasapi i Ballkanit”, Sllobodan Millosheviq.
Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjatë javës së kaluar vendosi sanksione ndaj Vulinit me arsyetimin se ai ishte përfshirë në marrëveshje korruptive nga të cilat përfitonin misionet dashakeqe të Rusisë në Serbi dhe rajon.
Vulin dyshohet se është i përfshirë edhe në krim të organizuar, trafik droge dhe shpërdorim detyre.
Ai gjithashtu ndihmon në organizimin e dërgesave të paligjshme të armëve. Në fakt, një kompani belge së fundmi ka ndaluar eksportin e armëve në Serbi për shkak se Beogradi dyshohet se i ka furnizuar ilegalisht me këto armë rusët.
Municione për Ukrainën
Në anën tjetër, regjimi serb si pjesë e politikës së saj po furnizon jozyrtarisht me municion të nevojshëm për Ukrainën, siç ka zbuluar Pentagoni amerikan në prill të këtij viti.
Kjo është edhe një ndër arsyet pse Perëndimi, veçanërisht SHBA-ja, kohëve të fundit ka qëndurar kaq fort pas presidentit në pushtet në mënyrë autokratike, Aleksandër Vuçiq.
Zyrtarët amerikanë kanë ushtruar presion masiv ndaj aleatit të tyre, Kosovës, gjatë muajve të fundit duke lavdëruar Serbinë, pavarësisht faktit se mijëra qytetarë serbë dalin në rrugë çdo javë duke kërkuar demokraci dhe dorëheqjen e Vulinit dhe Vuçiqit.
Por, vendet Perëndimore kanë pasur shqetësim gjithashtu nëse Moska do të provonte të zëvendësonte Vuçiqin me Vulinin, si kreu i këtij regjimi serb.
Që nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë, Perëndimi ka provuar çdo mjet të mundshëm për të lidhur Serbinë me veten, gjithashtu për të parandaluar një “front të dytë” për Moskën në Ballkanin Perëndimor.
Vuçiqi tani mund të përdorë edhe sanksionet kundër Vulinit.
Serbia gjithashtu ka pezulluar të gjitha dërgesat e armëve për një muaj. Vuçiq tha se armët duheshin për “siguri të brendshme” – me sa duket synonin tensionet me shtetin e Kosovës.
Qeveria kosovare në anën tjetër, së fundmi ka blerë drone “Bajraktar” nga Turqia. /PortaliMërgata/