Në dritën e masave të reja që po ndërmarrin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Binance Research – njësia analitike e kompanisë globale të kriptovalutave Binance – ka publikuar një raport të ri të titulluar “Përshkallëzimi i tarifave dhe tregjet kripto: Analiza e ndikimit”.
Ky raport analizon efektet e tarifave më agresive të vendosura nga SHBA që nga vitet 1930, përfshirë tarifa uniforme prej 10% deri në 54% për importet nga Kina, dhe reagimet globale që mund të çojnë drejt një përshkallëzimi të mëtejshëm të luftërave tregtare.
Pikat kyçe nga raporti përfshijnë:
Ndikimin e tarifave në inflacion, rritjen ekonomike, normat e interesit dhe politikën monetare të Rezervës Federale;
Rrezikun e stagflacionit si realitet në rritje;
Sjelljen e tregjeve kripto si asete të rrezikshme, me rënie prej 25.9% të kapitalizimit të përgjithshëm të tregutdhe paqëndrueshmëri të shtuar në sektorë si AI, Memecoins dhe Layer 2;
Ndryshimin e korelacionit të Bitcoin-it me tregjet tradicionale si aksionet dhe ari;
Potencialin e Bitcoin për të rikthyer rolin si “strehë e sigurt” jo-shtetërore në kohë pasigurie makroekonomike.
Sipas Richard Teng, CEO i Binance, pasiguritë tregtare afatshkurtra ndikojnë negativisht në kripto, por në afat të gjatë mund ta forcojnë rolin e saj si një formë alternative e ruajtjes së vlerës.
“Rikthimi i proteksionizmit tregtar po krijon lëkundje të mëdha në tregjet globale, dhe kriptovalutat nuk bëjnë përjashtim. Investitorët janë të prirur për të adoptuar një qasje ‘risk-off’, duke tërhequr kapitalin në pritje të zhvillimeve të mëtejshme. Por, në planin afatgjatë, kjo situatë mund të nxisë më shumë interes për kriptovalutat si asete të pavarura nga shtetet dhe politikat e tyre,” theksoi Teng.
Çfarë nënkupton kjo për tregun kosovar?
Ndërkohë që Kosova mbetet një treg në zhvillim në fushën e kriptos, raportet si ky vijnë si sinjal për investitorët vendas që të jenë më të vetëdijshëm për ndikimin që zhvillimet globale kanë edhe në tregjet e vogla. Pasiguritë në politikën tregtare ndërkombëtare mund të ndikojnë në vlerën e aseteve digjitale, si për ata që veçse investojnë, ashtu edhe për ata që po e konsiderojnë kripton si alternativë investimi.
Për më shumë, raporti i plotë mund të lexohet këtu: Binance Research