Me ftesë të organizatorëve të Komunitetit Politik Evropian, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Kishinau të Republikës së Moldavisë ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
Kjo u bë e ditur me anë të një komunikate për media nga zyra e presidencës.
“Presidentja Osmani do t’i bashkohet 46 krerëve të tjerë të shteteve të kontinentit evropian si dhe krerëve të institucioneve të BE-së, me qëllim të nxitjes së dialogut politik dhe forcimit të bashkëpunimit për t’i adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë”, tha presidenca.
Krahas pjesëmarrjes në sesionet kryesore të Komunitetit Politik Evropian, Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime me liderë të tjerë evropianë, sipas presidencës.
Ky udhëtim i Osmanit vjen në një kohë kur në veriun e Kosovës po mbizotërojnë tensionet ekstreme dhe ku që disa ditë ka pasur përplasje mes protestuesve serbë, KFOR-it dhe Policisë së Kosovës.