Gjykata e Apelit e ka aprovuar ankesën e Naser Kelmendit dhe e ka liruar nga akuza për trafikim me narkotikë për çka ishte dënuar nga shkalla e parë me 4 vite e 8 muaj burgim.
Në njoftimin e Apelit thuhet se Kelmendi është liruar nga akuza pasi nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale për çka akuzohej.
“Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti Special, pas mbajtjes së seancës së kolegjit, e ka aprovuar ankesën e të akuzuarit N.K, të paraqitur përmes mbrojtësit të tij av.Besnik Berisha, ashtu që në bazë të nenit 363 paragrafi 1 nënpargrafi 1.3, të Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarin N.K e ka liruar nga akuza, sepse nga provat që janë administruar në shqyrtimin gjyqësor nuk provohet se ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohej me aktakuzë”, ka njoftuar Gjykata e Apelit.
Më 31 korrik, Prokuroria Speciale (PSRK), kishte kërkuar nga Gjykata e Apelit dënim më të ashpër ndaj të akuzuarit Naser Kelmendi, i cili më 18 maj 2023 ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 4 vite e 8 muaj burgim për trafikim me narkotikë, ndërsa mbrojtësi i tij avokati Besnik Berisha kërkoi lirimin e tij.
Ndaj aktgjykimit të shkallës së parë, ankesë kishte paraqitur Prokuroria Themelore në Prishtinë, duke i propozuar Apelit që lidhur me këtë çështje penale, të ndryshohet pjesa e vendimit lidhur me dënimin dhe të nxjerrë një vendim më të ashpër, raporton “Betimi për Drejtësi”.