Gjatë ditëve të fundit, emri i Dejona Mihalit është rikthyer sërish në media shkaku i reagimeve të saj në rrjete sociale.
Së fundmi, ajo dje ka folur për protestën e djeshme të veteranëve të UÇK-së në sheshin kryesor të Prishtinës, shkruan Portali Mërgata.
Ani pse nuk ushtron zyrtarisht ndonjë post publik, emri i Dejona Mihalit është përmendur edhe më herët, e më së shumti nga deputeti Haki Abazi.
Ai kishte akuzuar Mihalit se e drejton të gjithë Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Por, kush është Dejona Mihali dhe cilat janë pozitat e saj në LVV?
Dejona Mihali, aktiviste e LVV-së, nuk është shumë emër i njohur për publikun, pasi nuk ka paraqitje në media dhe nuk ushtron asnjë funksion publik në Qeverinë Kurti. Por, ajo është figurë e rëndësishme në LVV, pasi që është anëtare e kryesisë.
Në ueb-faqen zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje jepen shumë pak informacione për rolin e Mihalit, për dallim për disa prej zyrtarëve të tjerë të partisë. Si informacion për publikun është dhënë vetëm pozita e saj si ‘Koordinatore e Komiteteve‘, pozitë kjo të cilën e mban që nga viti 2016.
Ndërsa, në ueb-faqen zyrtare të Qendrës së LVV-së në Shqipëri tregohet një biografi e shkurtër për Mihalin, ndonëse prapë pak informacione për angazhimin e saj në LVV.
“Dejona Mihali lindi në Tiranë në vitin 1980. Studimet universitare e pasuniversitare i kreu në Fakultetin e Shkencave Sociale, Departamenti i Filozofi-Sociologjisë. Pas studimeve ka ligjëruar në universitet dhe ka drejtuar programe universitare. Ka marrë pjesë në projekte studimore, e përkthime të fushës. Është koordinatore e komiteteve profesionale të Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, thuhet në ueb-faqe.
Ajo që dihet për Mihalin është edhe se e njëjta më 18 korrik 2016 ishte ndaluar në Morinë që të hyjë në territorin e Kosovës.
Atë kohë Lëvizja Vetëvendosje e pati quajtur “vendim arbitrar të pushtetit të Thaçit, Mustafës dhe Veselit”.