Kurti tregon për kërcënimin që mori nga terroristët pas aksioneve në veri të Kosovës

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se ka pranuar ”letër kërcnuese nga terroristët”, lidhur me sekuestrimin nga Policia e Kosovës, të një sasie të madhe të armëve dhe municionit në veri të vendit.

Këtë ai e tha gjatë një interviste për median estoneze delfi, ndërsa fliste për shqetësimet në rritje dhe përfshirjen e Rusisë në tensionet e shtuara mes Kosovës dhe Serbisë.

“Dje kemi konfiskuar një sasi të madhe municionesh dhe kallashnikovë nga një shtëpi në një komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës. Pak para se të vija në intervistë, mora një tjetër letër kërcënuese nga terroristët, ku thuhej me tallje se armët që kishim sekuestruar ishin vetëm një pjesë e vogël e pajisjeve të tyre”, ka deklaruar Kurti.

I pyetur nëse mendon se Rusia është e përfshirë në situatën e tensionuar në Kosovë, Kurti tha se ka “dëshmi se disa nga serbët që bojkotuan zgjedhjet ishin të lidhur me grupin Wagner, madje disa prej tyre ishin anëtarë të grupit”, ka deklaruar ai.

Duke përmendur madje specifikisht komunat veriore, Kurti është shprehur se disa nga personat e përfshirë në trazirat e ndodhura në veri pak muaj më parë kanë qenë pjesëtarë të grupit mercenar Wagner.

Kurti ka thënë më tej po ashtu se anëtarët e grupit Wagner dhe Ujqërit e Natës, një klub rus i motoçiklistëve i njohur për lidhjen e tij të ngushtë me Kremlinin, kishin hyrë në Kosovë nga Serbia dhjetorin e kaluar. Sipas tij, këta persona kishin krijuar lidhje të ngushta me organizatat terroriste që veprojnë në rajon.

“Kemi dëshmi se disa nga serbët që bojkotuan zgjedhjet ishin të lidhur me grupin Wagner, madje disa prej tyre ishin anëtarë të grupit. Disa anëtarë të Wagner dhe Ujqërve të Natës (një klub rus i tërbuar motoçikletash i mbështetur nga Kremlini – red.) erdhën në Kosovë nga Serbia dhjetorin e kaluar dhe kanë lidhje të ngushta me dy organizatat terroriste. Dhe një organizatë terroriste po dërgon kërcënime me vdekje për mua dhe ministrin tim të brendshëm”, tha ai.