Kurti tërhoqi një pjesë të policëve nga veriu, Daçiqi prap i pakënaqur: Kjo duket si tallje

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq tha se tërheqja e 25 për qind e policisë speciale të Kosovës nga dhe rreth objekteve komunale në veri të vendit “duket si tallje”, duke konsideruar se këto forca nuk duhet as të vendosen në veri, “pa leje të KFOR-it dhe serbëve”.

“Albin Kurti nuk ka të drejtë, është në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare, e dërgoi policinë në veri pa lejen e KFOR-it dhe pëlqimin e komunave serbe, nuk kishte të drejtë dhe tani duhet të jemi të kënaqur që do t’i tërheqë 25 për qind? Edhe bashkësia ndërkombëtare është e lumtur që depërshkallëzimi ka filluar. Mos u tallni me ne”, tha Daçiq për Tanjug.

Kjo, thotë ai, është “tallje me gjithë bashkësinë ndërkombëtare”, dhe sipas tij tregon se “ata nuk kanë qëllim serioz për të ndikuar në Kurtin”.

“Duhet t’ua japim një meritë të madhe serbëve në Kosovë, të cilët e durojnë me stoizëm terrorin që u bëhet, në kushtet kur nuk kemi ushtri dhe polici atje. Rezistenca paqësore e popullit të paarmatosur më së shumti i lëndon ata si dhe unitetin e popullit serb”, tha Daçiq.

“Që lufta jonë të vazhdojë, që të gjitha hapat e mëtutjeshëm të koordinohen me presidentin Vuçiq. Ne vazhdojmë politikën tonë, nuk e njohim të ashtuquajturën Kosovë, jemi për paqe, por nuk i pranojmë hilet”, tha Daçiq.