Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka vizituar sot Komunën e Prizrenit, ku është pritur nga kryetari Shaqir Totaj.
Në këtë takim, që kryeministri e cilësoi të përzemërt, u diskutua për një sërë çështjesh, përfshirë dy memorandumet e bashkëpunimit që tashmë i kanë Qeveria me Komunën, njëra për teleferikun dhe tjetra për rrugët lokale në Zhupë.
Në qendër të diskutimit ishte lidhja e Prizrenit me Tetovën, për çfarë është edhe marrëveshja e nënshkruar me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut qysh nga shtatori i vitit 2021, aks ky të cilin kryeministri Kurti e vlerësoi jashtëzakonisht të rëndësishëm për Prizrenin e për Tetovën, për Kosovën e Maqedoninë e Veriut, për mbarë rajonin tonë, si për qytetarët ashtu edhe për ndërmarrësit.
Po ashtu, ai tha se kryetarin Totaj e ka njoftuar se në javën që vjen do të dërgojnë edhe qarkoren e dytë për buxhetin e vitit 2024.
Deklarata e kryeministrit Kurti:
Unë sot bashkë me zëvendësministrin për Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, Hysen Durmishi, erdhëm në Prizren dhe e falënderojmë kryetarin e Komunës së Prizrenit, z. Shaqir Totaj, për këtë mikpritje të përzemërt.
Diskutuam për një sërë çështjesh. Diskutuam për dy memorandum bashkëpunimi që tashmë i kemi, Qeveria me Komunën, njëra për teleferikun dhe tjetra për rrugët lokale në Zhupë. Natyrisht që në qendër të diskutimit tonë ishte lidhja e Prizrenit me Tetovën, për çfarë e kemi marrëveshjen e nënshkruar me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut qysh nga shtatori i vitit 2021 dhe që ka një dakordim për opsionin nga studimi i fizibilitetit me tunel prej 6.4 kilometrave. Me ç’rast nga përafërsisht 15 kilometra në të dy hyrje daljet e tunelit të ardhshëm do të mund të lidhet Prizreni me Tetovën e Tetova me Prizrenin, si një aks jashtëzakonisht i rëndësishëm për Prizrenin e për Tetovën, për Kosovën e Maqedoninë e Veriut, për mbarë rajonin tonë, si për qytetarët ashtu edhe për ndërmarrësit.
Gjithashtu kryetarin Totaj e njoftova se në javën që vjen do të dërgojmë edhe qarkoren e dytë për buxhetin e vitit 2024. Së bashku do të shkojmë që të vizitojmë sa më afër që mundemi vendin ku do të jetë dalja e tunelit, në Struzhë, që më pastaj do të lidhet me rrugë deri tek pjesa jugore, juglindore e daljes së Prizrenit në autostradë, në Vlashnje, që përbën rrugën e cila e lidhë në të ardhmen Prizrenin me daljen e tunelit.
Në bazë të parallogaritjeve që janë bërë kostoja e gjithmbarshme do të jetë rreth 200 milionë euro, ku rreth 150 milionë euro janë për tunelin, që është përafërsisht 600 metra më i gjatë sesa ai në Kalimash, ndërkaq rreth 50 milionë euro do të kushtojë rruga në të dy anët e tunelit që lidhë këto dy qytete shumë të rëndësishme edhe për aktualitetin, por që kanë përplot histori, kulturë e art, siç janë Prizreni e Tetova.
Faleminderit edhe njëherë kryetar për këtë mikpritje dhe unë u zotova që do të punojmë bashkë për të mirën e përbashkët, si Qeveri me Komunën, si Kryeministër me Kryetarin e Komunës.