Kurti për dronët “Bayraktar”: Në kufi ka baza ushtarake serbe, andaj jemi të kujdesshëm

Pak ditë pasi i ka prezantuar dronët Bayraktar TB-2 të cilët Qeveria e Kosovës i ka blerë nga Turqia, kryeministri Albin Kurti në një intervistë për mediumin kroat “Vecernji List” ka thënë se Qeveria e tij e ka dyfishuar buxhetin për Forcën e Sigurisë së Kosovës, meqë sipas tij, Serbia ka ndërtuar baza ushtarake afër Kosovës.

“Blemë bajraktarët, dyfishuam buxhetin ushtarak dhe shtuam numrin e ushtarëve. Në kufi ka baza sulmuese të ushtrisë serbe dhe për këtë jemi shumë të kujdesshëm”, tha Kurti.

Kreu i Qeverisë ka folur edhe për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për të cilin ka theksuar se “do të bëhet mbret”.

“Vuçiç-in e mërzit demokracia, kërkon të bëhet mbret”ka potencuar Kurti.

Ndryshe, më 16 korrik, Kurti, pati njoftuar se “arsenalit të ushtrisë sonë i kemi shtuar edhe dronë Bayraktar TB-2”

Kreu i qeverisë pati theksuar se Kosova tash është edhe më e sigurt përveçse gjithnjë krenare.

Çfarë janë dronët Bayraktar?

Të lehtë, ekonomikë dhe të manovrueshëm nga distanca.

Bayraktar janë shndërruar në sinonim të suksesit në betejë, pas manovrimeve efikase të ushtrisë ukrainase kundrejt caqeve ruse.

Lufta në Vietnam, protagonist pati Kallashnikovin, të njohur shkurtimisht si AK-47. Lufta në Afganistan pati Stinger-in, predhën e famshme kundërajrore, të cilën mund ta përdorte çdokush.

Kurse, lufta në Ukrainë, protagonist deri tani, ka pikërisht dronët ushtarakë turq Bayraktar.

Ato, Ukraina i ka blerë nga Ankaraja, pikërisht për t’u mbrojtur nga agresioni i Vladimir Putinit, i cili e mori vendimin radikal më 24 shkurt.

Nëse edhe vetëm gjysma e vrasjeve që Kievi pretendon se i ka shkaktuar Ushtrisë ruse (rreth 12 mijë), e gjithë merita – ose të paktën pjesa kryesore e tyre – është e Bayraktar-ëve.

Falë strukturës së tyre, ato mund të kalojnë çdo linjë mbrojtjeje të rusëve dhe të godasin pikërisht aty ku dëshirohet.

Synimi kryesor deri tani, duket se kanë qenë kamionët e logjistikës, transportuesit, cisternat e ndryshme, apo edhe rrugët e komunikimit.

Ai, teknologjikisht nuk është shumë i avancuar, por efektshmëria që ka e bën të shkëlqeje.

I njohur ndryshe si BT2, Bayraktari është një dron bombardues. Operatori, i cili e drejton, është në distancë dhe jeta nuk i cenohet. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se ai rri tërësisht jashtë luftës.

Në terma konkretë, me aq sa është vërtetuar nga luftëra apo aksione të mëparshme me Bayraktar-ët, në Etiopi ka një rast kur me një predhë të vetme të dalë nga ai, u vranë 53 persona.

Droni është “i shkathët”, i vogël, ekonomik, mbi të gjitha, letal! Frenimin e avancimit të Ushtrisë ruse në territorin ukrainas, duhet t’ia dinë atij për falë.

Ai është aq praktik, sa mund të ngrihet në fluturim edhe nga një rrugë e thjeshtë. Kamerat e tij mundësojnë fushëpamje të gjerë.