Kurti paralajmëron njohjen “e shpejtë” nga Greqia

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se Kosova është afër njohjes nga Greqia.

Kurti në një intervistë për mediumin polak TVP World tha se është optimist se vendi i tij përfundimisht do të arrijë të bindë edhe vendet e tjera mosnjohëse.

“Në vitet e fundit ne kemi pasur sukses në aspektin e komunikimit dhe bashkëpunimit me pesë vendet mosnjohëse nga 27 të BE-së. Dhe, ne kemi punuar shumë në aspektin diplomatik që t’i sjellim ato më afër shumicës. Greqia është në vendin e parë e cila është afër njohjes. Këtë e dëshmon edhe statusi i zyrës sonë në Athinë, i cili është ngritur së fundi”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.

Tutje, kreu i qeverisë foli edhe procesin e aplikimit të Kosovës në BE, ku tha se me Bashkimin Evropian, Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, teksa shtoi se përsektiva e Ballkanit Perëndimor, që nga Samiti i Selanikut në vitin 2003 është kthyer në politikë të BE-së.

“Ne do të bëhemi pjesë e BE-së sa më shpejt që të jetë e mundur dhe mendojmë se procesi i integrimit në BE i shërben vendit tonë.E bëjmë për vendin tonë duke plotësuar vlerat, standardet dhe parimet, ndërsa në të njëjtën kohë, ne kemi nevojë për ndihmë nga BE-ja”, tha Kurti