Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dalë sot në një konferencë për media për të folur për rrëmbimin e policëve kosovarë nga Serbia.
“Arrestimi i kapos së krimit të organizuar, Milun Milenkoviq, shfaqi efikasitet të jashtëzakonshëm dhe nga ana e Serbisë u përcoll me hakmarrje. Ajo përdori instrumentin më qyqar të rrëmbimit të policëve të Kosovës. Në vendin e ngjarjes ka qenë policia dhe KFOR-i, kanë gjetur gjurmët e këpucëve në drejtim të Serbisë. Rrëmbimi është bërë nga Njësiti Special Anti-Terrorist, dhe njësiti “Kobra”. Ata që pretendojnë që ata janë arrestuar në Serbi duhet ta shpjegojnë se si prangat janë gjetur 1 km larg kufirit me Serbinë. Vendngjarja ka ndodhur në Kosovë, s’bëhet fjalë për arrestim në Serbi por për rrëmbim në Kosovë. Kemi informuar ndërombëtarët, këtu punë të jashtëzakonshme ka bërë Ministria e Jashtme dhe e Diasporës”, tha ai.
Ai tutje se ambasadori i Zyrës Ndërlidhëse së Kosovës në Serbi i ka vizituar policët dhe rrëfimi i tyre është i njëjtë.
Kurti përshkruan se ata kanë qenë duke ngrënë drekë kur janë rrethuar nga 15 persona dhe janë kidnapuar.
“Jemi në komunikim me Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi. Ambasadori Jashari i ka vizituar tre policët ndaras. Përshkrimi i tre policëve se si ka ndodhur është i njëjtë, identik që thonë se në momentin e rrëmbimin kanë qenë tek tryeza e improvizuar për ngrënie. Pra kanë qenë duke ngrënë drekë, kur 15 persona i kanë rrethuar, sulmuar dhe rrëmbyer. Të tre kanë qenë bashkë. Të tre e thonë rrëfimin e njëjtë kur pyeten ndaras. Kjo heq çfarëdo dileme për ata që thonë të jenë skeptik”, tha i pari i Qeverisë.
“Vendi ku ndodhet tavolina e ngrënies është shtatë metra larg veturës së policisë. Pra në vendin e njëjtë që e përshkruam më lartë”, tha Kurti.