Kurti, mërgimtarëve: Kosova mund të bëhet si Gjermania, Zvicra dhe vendet ku jetoni

Kryeministri Albin Kurti theksoi se shumë shpejt kur bashkatdhetarët të kalojnë nga Merdarja në Prishtinë, do shohin se edhe në Kosovë mund të bëhet mirë, drejt, e njësoj. Rruga e mërgatës, siç e quajti ai, ka filluar të rregullohet e zgjerohet, për të siguruar që koha në vendlindje do të jetë e këndshme. Kështu u shpreh ai në adresimin e tij para kabinetit qeveritar, ku shtoi se rikthimi në atdhe shënon moment të veçantë për të gjithë.

Kryeministri Albin Kurti ka falënderuar bashkatdhetarët për përkushtimin e tyre në ruajtjen e traditave dhe rolin e rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, social e politik.

“Si çdo herë kur çel vera, Kosova pret me krahë të hapur, me zemrën plot dhe me mall të madh më të dashurit tanë që gjenden larg nesh. Të dashur mërgimtarë, mirë se vini në shtëpinë tuaj. Rikthimi juaj në atdhe, në shtëpitë tuaja në Kosovë shënon një moment të veçantë për të gjithë ne, pasi shpreh lidhjen e përjetshme e cila tejkalon kufijtë dhe kohën. Edhe këtë vit të përjetojmë së bashku bukuritë e natyrës dhe trashëgimisë sonë kulturore. Le t’i lidhim gjeneratat e reja me tokën e tyre e le të mësojmë prej më të moshuarve. Në gjuhën tonë qëndrojnë mrekullisht dy fjalë për vendlindjen: mëmëdheu dhe atdheu, toka e nënës dhe e babait. Prandaj edhe lidhja juaj me Kosovën është më e thellë”, tha Kurti.

Teksa u uroi mirëseardhje qytetarëve nga Kosova, Kurti tha se “le të jetë kjo verë një kohë e bashkimit tonë”.

“Ecja jonë e shpejt drejt zhvillimit dhe forcimit të vendit është më e lehtë, kur në mendjen tonë e dimë që kemi mbështetjen tuaj. Prandaj kontributi juaj ndihet në gjithë sektorët e vendit dhe ne u jemi pafundësisht falënderues për angazhimin dhe rolin tuaj të vazhdueshëm për zhvillimin e vendit”, shtoi Kurti.

Shefi i ekzekutivit theksoi se në javën në vijim, Ministria e Punëve Jashtme dhe Diasporës, përmes platformës “Shijo Kosovën” do të përcjellë të gjitha udhëzimet dhe informatat që ndërlidhen me aktivitetet verore.

“Siç mund ta dini, kemi filluar rregullimin, zgjerimin dhe shtrimin e rrugës Prishtinë-Podujevë. Kjo nuk është rrugë vetëm për qytetarët e Llapit, por kjo në të vërtetë është rruga e mërgatës. Shumë shpejt kur të kaloni nga Merdarja në Prishtinë e nëpër shtëpitë tuaja gjithandej vendit, rruga do të jetë vetëm njëra prej gjërave që do e shihni se edhe këtu mund të bëhet mirë, e drejt, njësoj sikurse edhe në vendet ku ju jetoni e veproni. Për të siguruar që koha juaj në vendlindje do të jetë vërtetë e këndshme, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka hartuar një listë të gjatë të aktiviteteve të dedikuara veçanërisht për ju. Duke përfshirë fushën e sportit, kulturën dhe ndërlidhjen e gjeneratave të reja me vendin e tyre, përmes kampeve verore, eksperiencave kulturore, artistike dhe natyrore”, vijoi Kurti.