Kurti i shtron darkë Baroneshës Ashton, flasin për dialogun Kosovë-Serbi

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka shtruar mbrëmë, të premten, një darkë për Baroneshën Catherine Ashton, që dikur pati rolin e Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme e BE-së, rrjedhimisht edhe negocionte dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.

Siç njoftoi vetë Kurti, me Ashton gjatë kësaj darke diskutoi për politikën dhe çështje që prekin rajonin dhe Evropën.

“Kam shtruar një darkë mbrëmë në periferi të Prishtinës për Baroneshën Ashton, me të cilën kam diskutuar për politikën dhe çështjet evropiane dhe rajonale. Edhe pse rolet tona janë të ndryshme sot në krahasim me dhjetë vjet më parë, ne përballemi me shumë nga të njëjtat çështje”, ka shkruar Kryeministri.

Ashton erdhi në Kosovë, të premten, për të marrë pjesë në konferencën “Dialogu me Serbinë: Mësime nga e Kaluara për të Ardhmen e Procesit”.

Ajo dje u prit edhe nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një darkë pune.

Sipas njoftimit të Presidencës, në këtë takim është folur për zhvillimet e fundit në dialogun Kosovë-Serbi, si dhe nevojën për përfundimin me sukses të tij.

“Gjatë takimit u diskutua për ecurinë dhe zhvillimet e fundit në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, si dhe nevojën për përfundimin me sukses të tij si kontribut i drejtpërdrejtë për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon”, thuhet në njoftim.

Gjatë qëndrimit të saj dje, Baronesha Ashton la disa mesazhe për mbarëvajtjen e dialogut.

Ashton ka thënë se dialogu nuk ka qenë kurrë i lehtë, dhe zbatimi i marrëveshjeve është gjithmonë diçka më e vështirë sesa arritja e tyre. Mirëpo, thirrja e saj ishte që duhet bëhen kompromise për diçka më të madhe.

“Është e rëndësishme që dialogu të shihet si diçka që rrjedh në vazhdimësi, nuk më takon mua, apo Reekrit, ju takon juve. Dialogu ju takon juve dhe Serbisë”, ka thënë Ashton.

“BE-ja bën vazhdimisht kompromise të brendshme për të fituar diçka më të madhe, por pa hequr dorë nga parimet. Megjithatë, duket gjetur mënyra si mund të bëni ndryshime të vogla për të krijuar diçka më të madhe”, deklaroi Ashton.